TIRANË- Sot shënohet 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Ashtu si çdo vit tjetër u zhvillua ceremonia zyrtare e homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku zyrtarë të politikës vendosën kurora me lule në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.
Si çdo vit, edhe këtë vit në Varrezat e Dëshmorëve janë organizuar dy ceremoni zyrtare dhe himni u ekzekutua dy herë.
Fillimisht të majtët kanë bërë nderimet tek monumenti i dëshmorëve, "Nëna Shqipëri" dhe pas më shumë se 1 ore, homazhet i kryen edhe të djathtët.
ORA 10:00, RAMA DHE META HOMAZHE TEK VARREZAT E KOMBIT
Në orën 10:00, fillimisht kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe më pas kryeministrit Edi Rama janë përulur para monumentit "Nënë Shqipëri" në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë në respekt të gjithë dëshmorëve që kanë dhënë jetën në luftën anti-fashiste.
Homazhe ka kryer, bashkë më kryeministrin dhe kreun e Kuvendit, edhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.
Gjatë ceremonisë, Rama, Meta dhe Kodheli vendosën kurora me lule në monumentin "Nëna Shqipëri", ku u ekzekutua edhe himni kombëtar.
Kreu i kuvendit, Ilir Meta dha një prononcim për mediat në interes të gazetarëve.
"Është një ditë ku ne sot përulemi me mirënjohje përpara veprës së Qemal Stafës, e mijëra figura të tjera, djem e vajza të Shqipërisë që i dhanë të ardhmes së atdheut gjakun e tyre, jetën e tyre dhe ëndrrat e tyre",- tha Meta për mediat.
ORA 11:30 CEREMONI TË DYTË, HOMAZHE TË DJATHTËT
Pas më shumë se një ore më vonë, homazhe tek monumenti "Nëna Shqipëri", kanë kryer kryetari i PD-së Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët të tjerë të së djathtës.
Të djathtët në një ceremoni të dytë, janë përkulur para monumentit të dëshmorëve në shënjë respekti dhe vendosur kurora me lule.
"Sot është dita kur shqiptarët nderojnë Dëshmorët e Kombit. Heronjtë të cilët luftuan për idealet e larta të Shqipërisë dhe shqiptarëve, bashkimit kombëtar, dinjitetin e Kombit tonë dhe Demokracinë. Sot, 70-të vite pas përfundimit të luftës antifashiste shqiptarët janë më të bashkuar dhe ideali i të rënëve në luftë anti fashiste, i errësuar për dekada po lartësohet sërisht", u shpreh Basha.