Nis procesi i dhënies së titujve të pronësisë, Rama 100 çertifikata në Fier

Ora News Lajme 2015-08-22

Views 0

Fier- Shpërndahen 100 çertifikatat e para të titujve të pronësisë mbi bazën e ligjit 7051. Kryeministri,Edi Rama, e ka nisur procesin e shpërndarjes së çertifikatave në Frakull të Fierit. Kreu i qeverisë u shpreh se nisja e këtij procesi do ti japë fund kapitullit të gjatë të zvarritjes, konflikteve e stërmundimit të atyre që jetojnë në fshat dhe do ta kthejë tokën bujqësore nga një kapital i vdekur në një kapital të qarkullueshëm.

"Ne jemi këtu, për të filluar t'i japim jetë një procesi që ngrihet mbi një zotim shumë të fortë e shumë të qartë, që, mbi bazën e ligjit 7051, ne do të ndajmë titujt e pronësisë për të gjithë ata, që sot, prej kaq shumë vitesh vazhdojnë punojnë tokën e tyre, me familjet e tyre dhe ende nuk janë bërë dot pronarë të tokës, edhe pse kaq shumë vite kanë kaluar e fëmijët janë bërë burra.Besojmë që ky është edhe fillimi i fundit të një kapitulli të gjatë zvarritjeje të pakuptimtë e sfilitëse për të gjithë shqiptarët, familjet shqiptare që jetojnë në fshat, që jetojnë me tokën dhe që përmes tokës mundohen të krijojnë mirëqenien e tyre. Nga ana tjetër, ky është edhe fillimi i një kapitulli të ri për bujqësinë, blegtorinë dhe gjithë hapësirën shqiptare të fshatit, sepse është fillimi i një formalizimi të tregut të tokës," - u shpreh Kryeministri.

Kryeministri i i shoqëruar edhe nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti ndaluan edhe në Divjakë ku vizituan disa sera me produkte të cilat shkojnë kryesisht për eksport.

Share This Video


Download

  
Report form