Analistët: Tirana të kujdeset për shqiptarët e Maqedonisë

alsatmtv 2015-08-22

Views 2

Tirana zyrtare ka obligim kushtetues që të kujdeset për shqiptarët jashtë kufijve të saj administrativë. Andaj çdo anashkalim i vullnetit të shumicës së shqiptarëve në Maqedoni, mund të nxit reagimin e Tiranës zyrtare. Kështu u shprehen në emisionin e mbrëmshëm 'Rruga drejt...', njohësit e çështjeve politike në rajon Sami Neza, Adri Nurellari dhe Naim Rashidi. Ata komentuan tezën, sikur kryeministri Gruevski të lërë jashtë skemës BDI-në, subjektin politik që në zgjedhje e fundit fitoi besimin e shumicës së shqiptarëve.

"Institucionet e Shqipërisë e kanë për detyrim kushtetues, përkujdesjen për shqiptarët kudo që janë, pavarësisht pozicionit, pavarësisht madhësisë që ata zënë dhe territorin që ata zënë. E kanë detyrim kushtetues, e thotë kushtetuta që institucionet e Shqipërisë janë përgjegjëse për shqiptarët kudo që janë, për t'u kujdesur, për cilësitë e jetës së tyre, për cilësinë e demokracisë së tyre dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut në çfarëdo lloj vendi dhe në çfarëdo rrethane...Edhe njëherë dua ta theksoj, nuk ka askush të drejtë të cenoj benefitet që siguron pluralizmi politik në një vend për një kategori të caktuar qytetarësh", deklaroi Sami Neza, analist.

Nga ana tjetër, sipas Adri Nurellarit, tentativa e Gruevskit për të lënë jashtë skeme BDI-në e Ahmetit që ka fituar 19 deputetë, do të ishte sikur t'i hedhësh benzinë zjarrit.

"Do ishte absurde sepse do ishte sikur t'i hidhje benzinë zjarrit...sepse faktikisht këtu, tashmë është bërë traditë dhe logjika se si është ndërtuar shteti me idenë e shumicës së Badenterit....Ka mundësi që në marrëdhëniet multi-laterale, Prishtina dhe Tirana të ndikojnë ashtu si edhe në marrëdhëniet bilaterale me Shkupin. Po t'i shtohen këtu pastaj, problemet e brendshme që do i lindin për të pasur një shtet funksional kur të marrë vendime të rëndësishme me shumicën e Badinterit, ose të ketë marrëdhënie serioze, cilësore me pushtetin vendor, ose të shmang edhe konfliktin që tashmë e ka me opozitën, do të ishte një mish-mash i paimagjinueshëm", tha Adri Nurellari, analist.

"Maqedonia nuk është shtet me shumicë dërmuese një etnike dhe me minoritete. Nuk është shtet siç është Serbia, Kosova apo shtetet tjera. Maqedonia nuk është demokraci parlamentare dhe Maqedonia është demokraci kushtetuese e varur nga dy grupe etnike të mëdha që e përfaqësojnë. Maqedonasit do të mbeten shumicë, por shqiptarët janë popull konstituiv, ndryshe nga të qenit minoritet", u shpreh Naim Rashidi, analist.

Sipas analistëve çdo vendim i Kryeministrit Gruevski për të lënë BDI-në jashtë koalicionit qeverisës, do të ndizte probleme të brendshme, sidomos në skenarin e tanishëm kur as opozita maqedonase nuk njeh rezultatin zgjedhor. Bedri Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form