TIRANË- Jetmiri është një 26-vjeçar me aftësi të kufizuara, por kjo nuk e ka penguar as të diplomohet për Ekonomi dhe as të ndihmojë personat me aftësi të kufizuar të gjejnë një vend pune. Ai është ideatori i projektit të punësimit të kësaj kategorie personash, projekt i cili është mbështetur nga "Vadofone Albania", dhe sot ka mbledhur në panairin e punës, edhe përfaqësues të qeverisë duke u dhënë garancinë se do jenë krah tyre.
"Ideja ka lindur para më shumë se një viti. I thash vetes time, unë do ta realizojë projektin dhe do ta çoj deri në fund. Është një sfidë që ka vështirësitë e veta,por që nuk është e pamundur", thotë Jetmir Kallollari, ideator i projektit.
Zv.ministrja e Mirëqenies Sociale, Bardhylka Kospiri, u ka premtuar se me ndryshimet ligjore, kjo kategori do të jetë më shumë në vëmendje.
Sot personat me aftësi të kufizuara , në saj të ndryshimit ligjor nuk e humbasin këtë pagesë punësimi për dy vjet mbasi punësohen, që do të thotë se marrin njëkohësisht edhe pagën edhe përfitimim si person me aftësi të kufizuar. Duhet vetëm një moment që ata të vendosin nëse ata do të vazhdojnë të punojnë apo do t'i rikthehen skemës",- tha Baldhylka Kospiri, Zv.ministre e Mirëqenies Sociale.
Ndërsa për vetë "Vodafone" që tashmë ka punësuar disa persona me aftësi të kufizuara, ka ardhur koha që edhe këtyre personave t'iu jepen mundësi punësimi, pa i paragjykuar.
Unë besoj se punësimi i këtyre njerëzve nuk lidhet vetëm me krijimin e disa kushteve për t'u mundësuar punësimin e tyre në kompani. Hapi kryesor duhet ngritur në mendjen tonë, në mentalitetin tonë për t;i parë si njerëz me të njëjtat fuqi si tonat, thjesht i kanë pak të ndryshme", shprehet Alma Varfi, drejtoreshë e burimeve njerëzore të kompanisë celulare "Vodafone".
Pas prezantimit të projektit, kanë qenë të shumtë personat me aftësi të kufizuar që kanë aplikuar për t'u bërë pjesë e skuadrave të punës të kompanive të ndryshme.