SHKUP - Ka fituar shumicën e votave të shqiptarëve, por përtej entuziazmit, Ali Ahmeti e shikon këtë besim që i dhanë shqiptarët e Maqedonisë, si një detyrim për t'u përmirësuar e për të përmbushur premtimet. Për herë të parë, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, flet në një intervistë ekskluzive për A1Report.
Ai parashikon negociata të vështira me partinë më të madhe maqedonase VMRO-DPMNE, ndërsa thekson se BDI do të këmbëngulë në përmbushjen e kritereve për anëtarësimin në strukturat euroatlantike. Për Ahmetin, sfida më e madhe është çështja e zgjidhjes së emrit.
"Gjatë përballjes së platformave sigurisht, se do të ketë bisedime të lodhshme me palët. Duhet të jemi të kujdesshëm, të vëmendshëm, të mos zhvillohen negociata në eufori, negociata dramatike, por të dominojë arsyeja dhe logjika e ftohtë tek palët. Çdo përplasje apo çdo devijim nga negociatat mund të ketë pasoja. Të marrë drejtim anëtarësimi i vendit në NATO, anëtarësimi i vendit në BE." tha Ahmeti.
Por, çfarë qëndrimi do të mbajë partia më e madhe e shqiptarëve në Maqedoni, ndaj presidentit aktual Ivanov? Ahmeti thotë për A1Report se BDI nuk heq dorë nga kërkesat për president konsensual, ndërsa sipas tij, domosdoshmërisht, njëri nga tre përfaqësuesit e institucioneve kryesore si presidenti, kryeministri apo kreu i parlamentit, duhet të jetë shqiptar.
"Ne nuk mund të bëjmë hapa pas, sepse ne kemi promovuar një ide e cila kontribuon në afrimin e komuniteteve. Të mendojnë të gjithë palët që një nga funksionet më të larta të shtetit duhet të drejtohet nga shqiptar, qoftë kryeministri, qoftë kryetari i parlamentit, qoftë presidenti. Palët tani duhet të mendojnë dhe të gjykojnë, duhet të përmbushet, nga idea, qëllimi ynë nuk tërhiqemi." shprehet Ahmeti
Deklaratën e partisë opozitare LSDM, Ahmeti e shikon si një lëvizje jo të duhur, pasi, sipas tij, socialdemokratët mund të bëhen faktor duke propozuar reforma të mëdha dhe jo duke shkaktuar turbullira në politike.
Ahmeti flet edhe për investigimin e A1Report lidhur me zgjedhjet për kandidatët e diasporës, por edhe për marrëdhëniet Maqedoni-Shqipëri. Sipas tij, Shqipëria është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin në rajon, ndërsa thotë se kanë nisur bisedimet për mbledhje të përbashkëta mes qeverisë së Shkupit dhe të Tiranës. - See more at: http://www.shqiptarja.com/Politike/2732/ahmetinegociata-t--lodhshme-me-vmro-dpmne-s--39-l-shojm--pe-212679.html#sthash.8JOsJn55.dpuf