Tirane-Partia Demokratike, i është rikthyer akuzave ndaj ministres së Mbojtjes Mimi Kodheli, duke rikthyer sërish debatin për implikimin e Forcave të Armatosura në trafik droge.
Kryetari i Grupit Parlamentar demokrat Edi Paloka, deklaratën e ministres Kodheli, se çështja e hetimit të drogës është e mbyllur pasi nuk ekziton asnjë provë, e cilësoi të turpshme, ndërsa akuzoi se po tentohet t'i të shmanget hetimi.
"U përpoqën ta kthenin fillimisht në një histori qesharake dhe më pas ta mohonin dhe po vazhdojnë sot e kësaj dite duke u përpjekur ta pengojnë. Dua t'iu kujtoj se komisioni hetimor sipas rregullores duhej të kishte filluar punë tre ditë pas miratimit të tij në Kuvend. Ende sot e kësaj dite nuk është thirrur me justifikimet banale se gjoja ende nuk është përcaktuar kryetari i komisionit dhe justifikime të tjera si këto. Pra, duket qartazi se kjo mazhorancë kërkon ta mbyllë këtë çështje dhe jo ta hetojë"
Partia Demorkatike, është vendosur për të bërë transparencë për këtë çështje tha Paloka, ndërsa reagimet e ministrave dhe përfaqësuesve të qeverisë, tregojnë se frika e tyre ka pikërisht lidhje me faktin që ata janë të implikuar.
"Ky komision me sa duket është ngritur për atë që ne kemi deklaruar, për ta mbyllur çështjen e trafikut të drogës në Shqipëri, por edhe një herë ne do të jemi gjithë kohën të vëmendshëm dhe nuk do ta lemë asnjëherë të mbyllet një çështje e tillë. Do të bëhet transparencë për shqiptarët, të bëhet transparencë për trafikun e drogës, kush janë përgjegjësit, a është e lidhur kjo qeveri me këtë trafik droge? Mesa duket edhe reagimet e ministrave dhe përfaqësuesve të kësaj mazhorance, tregojnë se frika e tyre ka pikërisht lidhje me faktin që ata janë të implikuar" u shpreh Paloka.