Paketa e re fiskale për industrinë fasone po prezantohet gjatë ditës së sotme nga kryeministri Edi Rama dhe ministat, Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliaj. Kryeministri Rama tha gjatë fjalës së tij se kjo paketë vjen në bazë të propozimeve të marra nga takimet me biznesin fason dhe jo në bazë të një diktati tradicional, siç e quajti ai, nga ana e qeverisë.
"Kjo mbështetje që do të marrë formë me këtë paketë vjen në bazë të analizës me shumë përgjegjshmëri nga ana e qeverisë të të gjitha kërkesave nga ana e industrisë dhe në bazë të procesit të sintezës së këtyre propozimeve dhe jo në bazë të një diktati tradicional nga ana e qeverisë. Hapi i parë ka qenë ndërtimi i një konsultimi të gjerë me të gjithë ju dhe kemi marrë një për një të gjithë listën e propozimeve të bërë nga takimet që janë organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, dhe sot jemi këtu për të thënë që jemi gati të celim një kapitull të ri për industrinë. Pa kontributin e të gjithëve ju kjo do të ishte praktikisht e pamundur", u shpreh kreu i qeverisë.
RAMA: BIZNESI FASON DO TE PERFITOJE NGA PAKETA E RE FISKALE
Sipas kryeministrit, "modeli ekonomik i deri sotëm i bazuar mbi remitancat e emigrantëve, industrinë e mjedisit, e marrjes së kredive të dhunshme nga qeveria prej biznesit, si borxhe që nuk shlyheshin ka përfunduar. Ne do shikojmë nga burimet e reja të rritjes dhe padyshim që është dhe ky sektor dhe ai i manifakturës në përgjithësi".
"Është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që kountribuojnë në këtë industri, duhet që të bashkëpunojnë me AIDA-n, për të promovuar markën Made in Albania, përmes një fondi special dhe pjesëmarrjen në panairet ndërkombëtare. Do të krijojmë edhe një show room për prezantimin e biznesit fason", deklaroi kryeministri Edi Rama.
Duke prezantuar nismën për fasonët, kryeministri tha se, "deklarimi i punonjësve do të bëhet online dhe koha do të shkurtohet në 10 ditë. Duhet ta mbështesim industrinë me burime njerëzore me kurse profesionale të drejtuar nga praktika në punë dhe këtu vjen një pjesë e rëndësishme se si do të kountribuoni ju nga shteti".
"Një tjetër gjë është që paratë që ju keni paguar në shtet ti kthejmë sërish në favor të biznesit tuaj fason. Ai fond që do të krijohet nga të ardhurat tuaja do të jetë sërish në dispozicionin tuaj", deklaroi kryeministri.
Sipas tij, do të hapen 3 shkolla profesionale në tre qytete të vendit dhe shkollat do të jenë ngushtësit të lidhura me fabrikën. "Jemi duke negociuar me KFW dhe Kooperacione Italiane me një fond prej rreth 37 milionë euro dhe një pjesë e konsiderueshme do të shkojë për ju", tha Rama.