"Bukuria do t'i bashkojë shqiptarët në Ulqin" pasi në këtë qytet në qershor, nga datat 20-27, në kalanë e Ulqinit do të zhvillohet konkursi "Miss Shqipëria 2014".
Kjo falë marrëvëshjes së bashkëpunimit të nënshkruar mes producentit Petri Bozo dhe kryetarit të komunës së Ulqinit, Fatmir Gjeka.
Kështu në qershor, bukuroshet shqiptare do të jenë mikeshat speciale të këtij qyteti, ku mbrëmjen e 27 qershorit, në kalanë e bukur shqiptare do të kurorëzohet më e bukur e trojeve tona. Kjo është hera e parë që nënshkruhet një marrëveshje e tillë për zhvillimin e një eventi mbarëkombëtar.
Ulqini është një qytet turistik, i cili këtë qershor do të shndërrohet në arenën e madhe mbarëkombëtare të bukurisë shqiptare.
Për kryetarin e Komunës së Ulqinit, ky event është qartë një ambasador i bashkëpunimit kulturor i të gjitha trevave shqipfolëse. Përpara natës finale të këtij eventi, të gjitha vajzat pjesëmarrëse do të bëjnë turin tashmë tradicional të "Miss Shqipëria", që do të përfshijë jo vetëm zonat turitike brenda kufirit, por edhe jashtë tij.
Gjithashtu edhe këtë vit konkursi i bukurisë do ti përmbahet traditës së gjithë këtyre vendeve, një miss-një kala-një histori.