SHKUP - Partitë politike në Maqedoni janë duke e vazhduar fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të caktuara për më 27 prill. Në raundin e dytë për zgjedhjet për President të vendit kandidatë janë Giorge Ivanov, kandidati i VMRO-DPMNE-së dhe Stevo Pendarovski i LSDM-së.
Partia e shqiptare e Menduh Thaçit tashmë ka ndryshuar rrjedhën e fushatës duke trajtuar më shumë procesin zgjedhor në zgjedhjet presidenciale. Sipas Thaçit atë ditë shqiptarëve u është mohuar e drejta demokratike për të votuar, prandaj ai kërkon votën e shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare që të mund të ndryshoj zhvillimet politike në vend.
Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi tha se, ftesa përbojkot në zgjedhjet presidenciale ka patur mesazh të keq dhe po çon vendin drejt zhvillimit politik si në Mal të Zi, ku shqiptarët përfshihen në parti joshqiptare duke dëmtuar partitë shqiptare. Prandaj Thaçi ka kërkuar votën e shqiptarëve për të mbrojtur, siç tha ai, çështjen shqiptare në Maqedoni.
Sipas Thaçit kush voton BDI-në voton për projektin "Shkupi 2014", voton për enciklopedinë maqedonase, për aksione policore, voton kundër xhamive dhe për nënçmimin e shqiptarëve. Ai quajti mashtrim, premtimin e BDI-së se përhapjen e 60 mijë vendeve të reja të punës. Sipas tij as gjuha shqipe nuk është zyrtarizuar pasi nënkryetarja e Kuvendit gjatë gjithë mandatit nuk ka guxuar të flasë shqip.
Edhe partia shqiptare në pushtet BDI drejtuar nga Ali Ahmeti gjatë fushatës parlamentare i është kthyer idesë së presidentit konsesual. Ahmeti ka theksuar se nuk është nga ata që flet pas shpine për iden e presidentit konsensual. "Ne nuk dëshpërohemi dhe nuk ngrisim flamurin e bardhë, ne do të ecim përpara deri në realizimin e idesë sonë, ide kjo që u përqafua nga pjesa dërmuese e shqiptarëve", tha ai.
Ahmeti më pas ka theksuar se, "kjo ide është e pastër e drejtë dhe i ndihmon vendit të ecë përpara. BDI në 4 vitet e ardhshme në qeveri do të realizojnë konceptin për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike pasi Maqedonia nuk ka alternativë tjetër".