LEZHE - Pak ditë pas akuzave të ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami në seancën e kaluar në kuvend se ministrja e re e këtij dikasteri e përdor ushtrinë për trafik droge kanë reaguar banorët dhe ish ushtarakë të bazës ushtarake të Gjadrit në Lezhë. Kamera A1 REPORT ka "udhëtuar" drejt kësaj zone, e cila ruhet me ushtarë dhe ndalohet rreptësisht hyrja brenda në repart.
Gjatë një interviste për mediat, një ish-ushtarak, njëharazi dhe banor i zonës Gjergj Dedgjonaj, thotë se akuzat e ish-ministrit Imami janë të pavërteta. Sipas tij, në këtë zonë nuk është parë asnjë lëvizje që e vërteton një fakt të tillë, duke deklaruar se po hidhet baltë mbi ushtrinë.
"Nuk është e vërtetë, flas për Gjadrin. Është gjynah që të njolloset emri i ushtarakut në këtë formë, se po ta marrësh parasysh nivelin ekonomik të ushtarakut që është, hajde përdorim ushtarakun për këto probleme. Nuk kemi dëgjuar asnjë lloj zhurme, as avione as lëvizje makinash", tha ish-ushtaraku.
Reparti ushtarak, i Gjadrit dhe arodromi i Gjadrit nuk është më në funksion prej kohesh, ndërsa është përdorur vetëm në raste emergjencash, siç ishin përmbytjet në Shkodër.