A1 Report - Gjykata e Larte "lan duart" per Gjin Niken: Çeshtja ne pritje

Report TV 2015-08-22

Views 6

TIRANE - Në kulmin e akuzave ndaj drejtësisë për trajtimin e çështjeve për akuzat e rënda penale ndaj Gjin Nikës, 37-vjeçarit të ekzekutuar në Tapizë, ka reaguar Gjykata e Lartë duke deklaruar se rekursi i Prokurorisë është pranuar dhe çështja ishte në pritje të lirimit.

Sipas njoftimit të zëdhënëses së gjykatës së Lartë, "në ngarkim të Gjini Nikës, Kërkesa për Vleftësimin Arrestimi dhe Caktim Masë Sigurie; Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur në Dhomë Këshillimi, pranimin e rekursit të Prokurorisë dhe çështja ishte në pritje për gjykim".

Gjin Nika, u lirua nga Gjykata e Apelit në 25 shkurt, gati një muaj pas arrestimit të tij nga policia e Tiranës, edhe pse kishte një akuzë konkrete ndaj tij për plagosjen e Gentian Kaçit, në vitin 2013 dhe i dyshuar për vrasjen e Shefqet Shehut në vitin 2013 në Bulqizë, për vrasjen e Hasan Taljas në Tiranë në janar të vitit 2014, ndërsa emri i tij përmendej në përgjimet e Prokuorisë së Krimeve të Rënda për lidhje me grupin e rekrutimit të besimtarëve muslimanë për të luftuar në Siri.

Gjin Nika u ekzekutua në mesnatë duke u gdhirë e premtja dhe bashkë me të u vra dhe Fabio Xhunga nga Kamza, me të cilin ishte në motor.



Gjykata e Lartë ka reaguar edhe për denoncimin e një tjetër vendimi të dyshimtë të gjykatave të Apelit, në lirimin e personave me precedentë dhe akuza të rënda penale.

Kolegji Penal në vendimin e të enjtes ka konfirmuar dyshimet për vendimin e kundraligjshëm të Gjykatës së Apelit Vlorë, në lirimin e të kërkuarit ndërkombëtar për trafik Droge Vangjel Zijaj me emrin e vërtetë Arben Gropa.

"Për çështjen në emër të shtetasit Arben Gropa, për Kërkesë për Vleftësimin Arrestimi dhe Caktim Masë Sigurie, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur pranimin për shqyrtim të rekursit të Prokurorisë dhe çështja do të gjykohet në ditët në vijim".

Të enjten ka dalë vendimi i Kolegjit të Gjykatës së Lartë për të rrëzuar vendimin e pushimit të çështjes penale për ish-kryetarin e Agjesise së Kthimit të Pronave, Besnik Maho dhe e ka kthyer çështjen për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë. Maho u akuzua për abuzim me detyrës gjatë kohës që ishte kreu i AKP-së.

Share This Video


Download

  
Report form