Një nga risitë e këtyre zgjedhjeve parlamentare, është garimi i kandidatëve të Bashkimit Demokratik për Integrim në njësinë zgjedhore numër 4. Ky veprim politik i kësaj partie, nxjerr në pah ekzistencën e një komuniteti jo të vogël të shqiptarëve etnikë në pjesën e Maqedonisë juglindore, për të cilët opinioni ka qenë pak i njoftuar. Në thellësinë e një mjedisi të paramenduar si etnikisht të pastër me popullatë maqedonase, ekipi ynë hasi në vendbanime me emërtime të pastra shqipe, të cilët edhe në kushte të tilla vazhdojnë të frymojnë shqip. Nexhati Jakupi, bartës i listës së kandidatëve për deputetë të BDI-së në njësinë zgjedhore numër katër, thotë se me këtë veprim synojnë që ta shtrijnë autoritetin në të gjitha skajet e vendit ku jeton qoftë edhe një shqiptar i vetëm.
"Biseda që zhvilluam, takimet që patëm me banorët e këtyre vendbanimeve, sado pak që janë, mendoj se flasin shumë, flasin aq sa duhet, për arsyet pse BDI-ja del në zgjedhjet parlamentare, për të përfaqësuar këta njerëz me dinjitet, të cilët për fat të keq, me dekada të tëra kanë qenë harruar", deklaroi Nexhati Jakupi, BDI.
Sipas Jakupit, BDI kësaj radhe do të garojë në të gjitha zonat zgjedhore të Republikës së Maqedonisë, për të fuqizuar dhe materializuar votën shqiptare në të gjitha cepat e vendit, dhe për të dëshmuar se shqiptarët këtu nuk janë popull lokal, por shtetformues.
Edhe shqiptarët e këtyre anëve e kanë mirëpritur nxjerrjen e një liste me kandidatë për deputetë shqiptarë, duke shprehur kënaqësinë që për herë të parë do ta kenë shansin që të votojnë për kandidatët e gjuhës dhe fesë së tyre.
-A mund të ju ndihmojmë juve, si parti shqiptare, si përfaqësues shqiptarë?
"Shqiptari për shqiptarin po mos të ndihmojë atëherë skemi bërë asgjë, sepse kanë thënë, gjaku ujë nuk bëhet. Në mesin tonë nëse nuk ndihmohemi, atëherë nuk kemi bërë asgjë"
-A kanë ardhur politikanë shqiptarë më herët këtu?
"Jo, jo, jo. Të parët jeni juve", u shpreh një banor.
"Sigurisht se është mirë, deri tash nuk ka pas asnjë shqiptar që na ka vizituar. Të parët jeni juve", tha një tjetër banor.
Njësia zgjedhore numër 4 përfshinë gjithsej 19 komuna të Maqedonisë juglindore, me shumicë maqedonase. Qytetarët shqiptarë në këtë njësi zgjedhore, më tepër janë të koncentruar nëpër vendbanimet e komunave të Manastirit, Prilepit... Përpos shqiptarëve, në këtë njësi zgjedhore bëjnë pjesë edhe një numër i konsiderueshëm i popullsisë turke dhe rome. Benjamin Arifi