A1 Report - 18 mln $ për ish të përndjekurit javën tjetër fondi për 545 të parët

Report TV 2015-08-22

Views 0

TIRANE- Qeveria e Kryeministrit Rama ka akorduar një fond prej 18 milionë dollarësh për kompensimin e ish të përndjekurve politikë, ndërsa javën tjetër do të nisë pagesa e 545 të përndjekurve të cilët nuk kanë marrë as këstin e parë të kompensimit për vitet e burgut që kanë kryer në kohën e komunizmit.

180 të parët do të jenë të përndjekurit që janë në moshën mbi 85 vjeç.

"Ne kemi marrë një vendim që ti japim fund abuzimit më shumë se 20-vjeçar me të përndjekurit politikë, me dorën në zemër dhe fjalë të sinqerta për ta mbyllur me dinjitet këtë plagë 20 vjeçare, fillimisht morale dhe hap pas hapi edhe kompensimin e tyre. Mungesa e kompensimit material bëhet më e rëndë kur mungon kompensimi moral", vlerësoi kryeministri Rama, i cili mori pjesë në ceremoninë e rikonstruksionit të godinës së Institutit të ish të përndjekurve politikë, që ndodhet përballë godinës së Parlamentit.

Për kryeministrin problem është "shumë më i madh se sa janë mundësitë për ta zgjidhur menjëherë" por shtoi se qasja dhe përpjekja e qeverisë "është për të bërë më të mirën e mundshme"

"18 milionë dollarë vendosëm këtë vit. Nuk janë shumë, por ne edhe pse gjetëm një mal borxhesh të paditura më parë, ne kemi akorduar sasinë më të madhe të fondeve që një qeveri ka akorduar nga një qeveri jo në një vit elektoral. Unë nuk mund ta krahasoj fondin kur qeveria e shtoi me urgjencë kur vdiq i ndjeri Lirak. Në muajin mars, rreth 500 persona do të marrin këstin e parë. Ne evidentuam rreth 300 dosje problematike që nuk ishin plotësuar por harruar. Vazhdoj të them që për ne gjëja më e rëndësishme është që nga ky vit asnjë i përndjekur të mos thotë që, do vdes dhe nuk pashë kurrë dëmshpërblimin," tha Rama.

"Do të donim të ishte më shumë,- u shpreh ministri Veliaj- por është shumë më tepër se 10 milionë dollarë që PD vuri në 2008, më shumë se 4 milionë dollarë në 2010, dhe në vitet elektorale të PD-së kur përpiqej të rikuperonte pozicionin pas grevës së ish të përndjekurve".

Instituti i ish-të përndjekurve politikë nga sot ka një pamje të re.

Share This Video


Download

  
Report form