Shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së Abdilaqim Ademi i është përgjigjur kreut të PDSH-së Menduh Thaçi i cili dy ditë më parë akuzoi BDI-në se ajo ka lejuar në truallin e Burmali Xhamisë të ndërtohet shtëpia e oficerëve. Ademi tha se në mungesë të ofertës politike të PDSH-së, ata tentojnë që të bëmat e veta t'ia veshin BDI-së, duke kërkuar llogari për projektet e firmosura nga funksionarët e PDSH-së. BDI-ja përkujton se Kisha në Qendër ishte firmosur nga ministri i PDSH-së, ndërsa 3 kisha të tjera ishin paralajmëruar nga kandidati për president, Iljaz Halimi.
"Mund ta paramendoni, ai thotë që ne duhet të kërkojmë falje për projektin që mban autorësinë e tij, Shkupi 2014, çfarë cinizmi. A nuk ishte ministri i tyre Arifikmet Xhemaili që e nënshkroi projektin për kishën në qendër. A nuk ishte profesori i Marksizmit, Iljaz Halimi, ai që deklaroi se mua nuk më intereson Shkupi, le të ndërtohen edhe 3 kisha në qendër të Shkupit. A nuk deklaroi një eksponent i tyre, se po, ne PDSH-ja e kemi dhënë pëlqimin për projektin "Shkupi 2014". Çka mendon ai, se shqiptarët kanë harruar të bëmat e tij dhe të tajfës së tij?", deklaroi Abdilaqim Ademi, BDI.
Përgjigja e BDI-së vjen pas akuzave të Menduh Thaçit në mitingun partiak në Çair, ku kërkoi votat e partive të vogla turke e boshnjake për të ndaluar siç tha ai, ndërtimin e Shtëpisë së Oficerëve Serb në vendin e Burmali Xhamisë.
'Vëllezër ato partitë e vogla që i keni nuk mund të bëjnë asgjë, ato parti të vogla nuk mund të parandalojnë që Shtëpia e Oficerëve Serb të ngrihet mbi themelet e Burmali Xhamisë, PDSH-ja mund ta parandalojë këtë!', u shpreh Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Ademi i bëri thirrje qytetarëve të mos lejojnë që vota e tyre të këmbehet për bizneset personale të krerëve të PDSH-së.
"Ftojmë çdo votues, veçanërisht shqiptarët, që të vlerësojnë votën e tyre dhe mos ta shndërrojnë atë në monedhë për këmbim. Vota e shqiptarit është e vlefshme dhe nuk guxon tu falet atyre që për pazarllëqet e tyre nëpër kafenetë e Shkupit, i shesin interesat e shqiptarëve për interesat e tyre grupore", deklaroi Abdilaqim Ademi, BDI.
Përgjigjet ndaj PDSH-së, Ademi i drejtoi ngatakimi me qytetarët e Sarajit në qytetin e Shkupit. Benjamin Arifi