Edhe dega PD në Shkodër e ka dënuar procedimin penal që i është bërë kryebashkiakes në ikje, Voltana Ademi. Sipas PD Ademi është sjellë në përputhjes me aktin e pronësisë që i jep ligji për vetëqeverisjen vendore dhe me dekretin e presidentit Ilir Meta.
"Partia Demokratike, Dega Shkoder denoncon me forcë aktin e turpshëm të Proçedimit Penal të bërë nga Policia e Shtetit në adresë të zonjës Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë Shkodër, me objekt veprën penale ?Pengim i zgjedhësit?.
Ky është një formë flagrante presioni që ushtrohet jo vetëm mbi autoritetet legjitime më të larta të qeverisjes vendore në Shkodër, por edhe kundrejt gjithë qytetarëve të saj.
Së pari, Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës ka nxjerrë një akt plotësisht të bazuar në ligj duke qenë në përputhje me të drejtën e titullarit të pronësisë. (Ligji për vetqeverisjen vendore).
Së dyti, bazuar në dekretet e Presidentit të Republikës, (autoriteti i vetëm kushtetues që cakton datën e zgjedhjeve), koha e zhvillimit të zgjedhjeve tani më është spostuar në një datë tjetër.
Partia Demokratike, Dega Shkodër i bën thirrje Policisë së Shtetit që të marrë përgjegjësitë ligjore për ruajtjen e rendit dhë të qetësisë, sidomos të evidentojë dhe të dërgojë para ligjit autorët e akteve të dhunshme që kanë ndodhur kohët e fundit me pasojë dëmtimin e pronës publike si në Pallatin e Sportit, gjithashtu në disa shkolla dhe objekte në pronësi të Bashkisë Shkodër", thuhet në deklaratën e PD, Shkodër.