A1 Report - Miratohet lista e barnave te rimbursueshme, 55 barna te reja

Report TV 2015-08-21

Views 2

TIRANE- Listës së barnave të rimbursueshme për këtë vit i shtohen 55 barna të reja. Këtë fakt e ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj në një deklaratë për shtyp, pas miratimit nga qeveria të listës së barnave të rimbursueshme. Duke u ndalur tek risitë që sjell kjo listë e re, e plotësuar me një numër më të madh barnash, Ministri Beqaj tha se në fokus ka qenë miratimi i një liste me barna cilësore.

"Me listën e miratuar sot, janë 55 barna që përfshihen për herë të parë. Ka risi në listën e re. Vlen për t'u theksuar cilësia. Do të përfitojnë rreth 600 të sëmurë nga barnat për kurimin e tumoreve dhe kancerit.Në skemë janë përfshirë barna për sëmundjet e diabetit, kardiovaskulare.

Për herë të parë përfshihen barna që përdoren për të kuruar varësinë nga alkooli, një problem social. Në procesin e hartimit të listës është marrë parasysh nevoja e popullatës, dhe ka qenë në fokus cilësia e barnave. Janë marrë në konsideratë padyshim, edhe kërkesat e qendrave spitalore", tha ministri Beqaj.

Ndërkaq, kreu i Shëndetësisë theksoi se duke filluar nga 1 prilli nuk do të aplikohet TVSH 10% mbi barnat.

"Ministria e Shëndetësisë ka përfunduar projektligjin për barnat. Ngritja e Agjencisë Kombëtare të Barnave, do të rritë sigurinë. Nga 1 prilli nuk do ketë më taksë, TVSH, për barnat, do të jetë të përjashtuara nga kjo taksë. Me fondet e parashikuara në buxhetin e 2014 do të kemi më shumë barna që rimbursohen, dhe më shumë barna në spitale", u shpreh ministri Beqaj.

Sipas Ministrit Beqaj, barnat e reja që i shtohen listës do të përmirësojnë mbulimin me barna për të sëmurët me diabet, të semurët kardiake, gjithashtu në trajtimin e të sëmurëve me kancer, në neurologji, në nefrologji, në kujdesin paliativ, në dermatologji, gjinekologji, urologji, shendetin mendor, alergiologji dhe okulistikë, etj.

Lista e barnave të rimbursueshme pritet të hyjë në fuqi me 1 prill 2014 dhe përherë të parë mbulohet financiarisht nga Fondi i Sigurimeve Shendetesore.

Burime nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore bëjnë me dije se shtimi i listës së barnave të rimbursueshme vjen si rrjedhim i mirëmenaxhimit të fondeve por dhe negociatave për të ulur çmimin e barnave.

Share This Video


Download

  
Report form