PRISHTINE- Gati 3 vjet pas arritjes së marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, liderit të opozitës Isa Mustafa dhe kryetarit të Aleancës për Kosovën e Re, Behxhet Pacolli, për reformën kushtetuese dhe zgjedhore, Kosova ende nuk ka një reformë elektorale të mirëfilltë.
Ndërsa vendi pritet të përballet me zgjedhjet e përgjithshme këtë vit, me shumë gjasa në qershor, partitë politike vazhdojnë të mbajnë peng procesin për reformimin e sistemit zgjedhor. Këtë fakt e ka pohuar edhe kryetarja e KQZ Valdete Daka gjatë emisionit "Airport" nga Erjona Rusi, ku pranoi se edhe pas 3 vjetësh mungon konsensusi mes liderëve të partive politike për këtë proces të cilësuar si tepër I rëndësishëm nga Bashkimi Europian.
Ndërkaq edhe Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së së kryeministrit Thaçi konfirmoi se gjithçka në fakt është në dorë të vullnetit politik.
Ndërsa Florian Dushi, nga partia më e madhe në opozitë Lidhja Demokratike e Kosovës pranoi se në zgjedhjet e kaluara parlamentare të 2010-ës ka patur manipulime të shumta nga të gjitha partitë, të cilat në zgjedhjet e fundit lokale të nëntorit të kaluar edhe me presionin e ndërkombëtarëve u angazhuan për një proces më demokratik.
Të ftuarit diskutuan edhe për zgjedhjet e ardhshme dhe pritshmëritë ndaj këtij procesi, ku Adnan Rusemi I Vetëvendosjes tha se është shumë skeptik për integritetin e procesit zgjedhor.
Kryetarja e KQZ-se konfirmoi se drafti I derguar tashmë në qeveri nga komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore nuk prek aspak sistemin elektoral dhe se në të janë përfshirë vetëm disa ndryshime teknike, çka do të thotë se pas zgjedhjeve parlamentare të këtij viti palët do të duhet të ulen sërish për të kryer një reformë të mirëfilltë elektorale. Gjithësesi sa i takon zgjedhjeve të ardhshme, ajo u shpreh optimiste.