TIRANE- Kultura për respektimin e parasë dhe kursimin, është kthyer tashmë në një instrument që Banka e Shqipërisë po ua transmeton edhe fëmijëve me anë të disa projekteve të posaçme. Në kuadër të Javës Globale të Parasë, në teatrin Kombëtar të Kukullave në Tiranë, u shfaq sot premiera teatrore për fëmijë "Çufo dhe Tipi-Një aventurë me verdhushka". Çelja e ceremonisë u hap nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili theksoi se edukimi financiar dhe kultura e kursimit duhet të nguliten që në moshë të vogël.
Gjatë ceremonisë, Guvernatori Fullani nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me kreun e Shoqatës Shqiptare të Bankave, Seyhan Pencabligil. Memorandumi ka për qëllim të nxisë kulturën e edukimit të nxënësve të shkollave 9-vjeçare, të mesme dhe studentëve, në fusha të ekonomisë, financave dhe bankave.