TIRANE- Bankat private kanë reflektuar ndaj rekomandimeve të Bankës së Shqipërisë, duke ulur normat e interesave për kreditë, por dhe për depozitat. Sipas të dhënave më të fundit, interesi mesatar i kredive të reja në lekë për 10-mujorin e këtij viti, ra në një normë interesi mesatare prej 10.6%. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar interesi mesatar i kredive në lekë ishte 11.1%.
Politika monetare lehtësuese e propozuar dhe e ndjekur nga Banka e Shqipërisë po jep ngadalë efekte në kreditim, megjithëse portofoli me probleme dhe rreziqet e tregut janë rritur.
Mbyllja e kursimeve në bankë, tashmë nuk garanton më fitime të larta. Interesi mesatar i depozitave 12-mujore për 10 muajt e këtij viti zbriti në 4.5%, nga 5.5% që ishte vitin e kaluar.
Në muajin Tetor, interesi mesatar i depozitave 12-mujore në sistemin bankar shqiptar zbriti në 3%, norma më e ulët e regjistruar ndonjëherë në historinë e sistemit bankar shqiptar. Edhe falë gjendjes së mirë të likuiditetit të bankave dhe kërkesës së dobët për kredi, në këtë kah politika monetare është transmetuar me mjaft efikasitet.