PERRENJAS- Tentativa për të shmangur përplasjen me një automjet në rrugë ka qenë fatale për pasagjerët që udhëtonin në një mikrobus të linjës Tiranë --Strugë.
Aksidenti i rëndë me 2 të vdekur, 3 të plagosur rëndë dhe 14 të tjerë të plagosur më lehtë u shënua mesditën e sotme në aksin rrugor Prrenjas -Qafë Thanë.
Viktimat janë Klaudia Nushi, 25 vjec dhe Altije Toska 66 vjeç. Ndërkohë, njëri prej 3 personave të plagosur rëndë është drejtuesi i mikrobusit me inicialet B.K.
Mikrobusi 21 vendësh ka dalë nga rruga në vendin e quajtur "Ura e madhe" dhe në mjet udhëtonin 19 persona.
Sipas policisë pasagjerët ishin kryesisht anëtarë të shoqatës së pensionistëve ishin nisur nga Tirana për në Strugë.
Mësohet se në spitalin e Librazhdit janë shtruar 7 prej të plagosurve, ndërsa pjesa tjetër ka marrë mjekimin dhe janë larguar. Në vendgjarje mbërritën 2 autoambulca duke bërë edhe trasnportimin e të lënduarve drejt spitalit të Librazhdit.
Shkak i aksidentit sipas policisë së qarkut të Elbasanit ka qenë mjeti tip ford me targa AA 803 TT, me drejtues F. S, pasi dyshohet se i ka prerë rrugën mikrobuzit në rrugë. Ndërkohë, drejtuesi i këtij të fundit në përpjekje për të shmangur përplasjen me autoveturën, ka devijuar rrugën duke u përplasur me shtyllën e tensionit dhe më pas mikrobusi është përmbysur në anë të rrugës. Drejtuesi I mjetit tip ford është shoqëruar në polici.