LAÇ- Një i sëmurë mendor vret dy vëllezër brenda në një lokal dhe pasi del jashtë qëllon në mënyrë të pakontrolluar duke plagosur dy kalimtarë të rastit.
Krimi i ndodhur mëngjesin e sotëm në qendër të pranë stacionit të autobusëve terrorizoi banorët e qytetit të vogël Viktima të 27 vjeçarit Altin Piroli, i cili sipas policisë së qarkut të Lezhës ka problem mendore, janë 2 vëllezërit Andrea Cara dhe Endri Cara perkatesisht 27 dhe 30 vjeç, dhe 2 të plagosurit Nikoll Ndoji dhe Tonin Gjini 24 dhe 22 vjeç
Dy vëllezërit ishin pronarë të lokalit ku ndodhi vrasja dhe viktimat ishin shok me 27 vjeçarin. Të tre ishin nga fshati Zhej i rrethit të Kurbinit. Ndërkohë të plagosurit, Nikoll Ndoji dhe Tonin Gjini 24 dhe 22 vjeç janë sjellë në Tiranë në spitalin e traumës për mjekim më të specializuar. Mjekët thonë se njëri nga të plagosurit ka plagë në zonën e legenit ndërsa tjetri në krah.
Ngjarja është shënuar mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kanë bërë të ditur se personi në fjalë ishte parë që në mëngjes teksa lëvizte me pistoletë në dorë në qendër të qytetit të Laçit. Në lokalin e viktimave, autori ka shkuar të pijë kafe, dhe ka qëlluar mbi ta sapo i ka parë duke hyrë brenda. Autori ka qëlluar mbi vëllezërit dhe pasi ka zbrazur karikatorin ka dalë jashtë lokalit dhe rreth 50 metra më tutje ka rimbushur pistoletën duke filluar sërish të qëllojë në mënyrë të pakontrolluar. Të shtënat kanë ngjallur panik dhe qytetarët që kanë qenë aty janë munduar të largohen por plumbat kanë kapur dy kalimtarët. Madje dëshmitarët tregojnë se autori i ka drejtuar pistoletën edhe policisë por fat të mirë pistoleta ka qenë bosh.
Ndërsa grupi hetimor përpiqet të hedhë dritë mbi motivet e vrasjes, 27 vjeçari i ka thënë policisë se vrasjen e kishte kryer pasi "ai ishte Jezu Krishti", bëjnë të ditur burimet nga grupi hetimor. Në polici autori i është nënshtruar një ekspertizë paraprake mjeko ligjore dhe rezultoi se ai dyshohet të vuaj nga probleme të theksuara mendore.
Autori u arrestua disa metra larg vendit të ngjarjes dhe policia ka sekuestruar edhe dy pistoleta, si prova materiale. Altin Piroli dy vite më parë kishte plagosur djalin e xhaxhait të tij 13 vjeç dhe për këtë vepër penale ishte dënuar me 1 vit burg. Dënimin e kishte kryer në burgun e Shën Kollit në Lezhë. Ai njihej edhe si një person me rrezikshmëri të lartë, ndërsa viktimat nuk kishin deklaruar se kishin konflikte me të.