ANKARA- Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan ka reaguar pas regjistrimit telefonik me djalin e tij Bilal Erdogan ditën e djeshme, në të cilën i kërkon të largojë nga banesa të gjitha paratë që gjendeshin në shtëpi.
Erdogan refuzoi ashpër vërtetësinë regjistrimit telefonik duke e quajtur një 'fabrikim të turpshëm'. Sipas tij, ky ishte një sulm kundër tij dhe Republikës së Turqisë.
Regjistrimi, i cili nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur thuhet të jetë një prej 4 bisedave që datojnë më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kohë kur djemtë e tre ministrave të qeverisë së Erdogan dhe aleatë të tij biznesmenë u arrestuan si pjesë e një hetimi kundër korrupsionit.
Në telefonatë mund të dëgjohet zëri i një personi i cili sipas mediave vendase është kryeministri Erdogan teksa i kërkon djalit të tij të largojë menjëherë nga banesa rreth 1 milionë euro, pasi fëmijët e tre ministrave u arrrestuan nga policia.
Qindra demostres u mblodhën dje në Stamboll duke e quajtur Erdogan një hajdut. Forcat e policisë u detyruan të përdorin gazin lotësjellës për të shpërndarë turmën.