'Shqipja', përplasë PDSH-në dhe BDI-në

alsatmtv 2015-08-21

Views 1

Komisionet e paralajmëruara nga kreu i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski dhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti me qëllim diskutimin e përdorimit të gjuhës shqipe janë të dështuara, njëjtë sikur kanë dështuar komisionet që u formuan me qëllim zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së. Kështu u shpreh deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu, pas takimit që kishte sot në kuvend me këshilltarët e PDSH-së në qytetin e Shkupit.

"Çështja e mospërdorimit të gjuhës shqipe nuk është problem vetëm në qytetin e Shkupit dhe kjo nuk ka të bëjë me pengesa administrative dhe nuk është çështje interpretimesh. E gjithë kjo vjen si pasojë e paaftësisë dhe servilitetit të BDI-së e cila është në pushtet edhe në qytetin e Shkupit, njëjtë sikur edhe në Qeveri", tha Bekim Fazliu, PDSH.

"BDI-ja dhe Izet Mexhiti gjithmonë kur flasin, i qelbin shqiptarët me gënjeshtra, mashtrime dhe shpifje. Në këtë rast ne e përkujtojmë atë por edhe BDI-në se vendi ku interpretohen ligjet është parlamenti, dhe i porosisim ata, mbylleni gojën, mos gënjeni shqiptarët se nuk e meritojnë", deklaroi Idriz Orana, këshilltarë i PDSH-së në Këshillin e Qytetit të Shkupit.

Akuzave të PDSH-së iu kundërpërgjigj zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani. Ky i fundit akuzoi PDSH-në se refuzojnë të ndihmojnë në implementimin e shqipes. Ai tha se për këtë çështje BDI ka dallime të mëdha me VMRO DPMNE-në dhe tërë bllokun e partive politike maqedonase.

"Fatkeqësia është se PDSH nuk bëhet pjesë për të na ndihmuar ne në implementimin, por vetëm për ta keqpërdorur atë për fitimin e pikëve politike. Kemi bërë avancime dhe një hap para në këtë mandat në përdorimin e shqipes, por është çështje që ka mbetur e papërfunduar pasi kemi dallime politike, jo mes VMRO-së dhe BDI-së por mes bllokut shqiptarë dhe atij maqedonas mbi interpretimin e nenit 5 të kushtetutës", tha Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Reagimi i PDSH-së lidhur me mos përdorimin e gjuhës shqipe erdhi pas takimit që realizoi kreu i Çairit Mexhiti me numrin një të Shkupit Trajanovski të cilët njoftuan se kanë arritur marrëveshje që ekspertët të shqyrtojnë çështjen e dygjuhësisë në qytetin e Shkupit. Valmir Kuçi

Share This Video


Download

  
Report form