SHGM-ja me 512 anëtarë siguron vend në Agjencinë për Media

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë njoftoi se regjistri i saj përbëhet prej 512 anëtarë dhe është e denjë të ketë të deleguarin e saj në Agjencinë për media. Kreu i SHGM-së Naser Selmani tha se regjistri në kërkesë të ministrit Ivanovski është dorëzuar pranë Ministrisë për Informatikë, edhe pse siç tha kjo kërkesë është e pakuptimtë dhe lë hapësirë për manipulime me numrin e gazetarëve. Nga SHGM-ja kërkuan ndryshimin e kësaj dispozite ligjore, në të kundërtën do ta ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese.

"Ne anëtarësojmë vetëm gazetarë, ndërsa dikush tjetër anëtarëson edhe të punësuarit në media prej rojës deri te drejtori, kështu në fund do të del se numërojmë gjëra të ndryshme. Ne mendojmë se kjo pjesë e ligjit është në kundërshtim me Kushtetutën dhe shkel të drejtën e gazetarëve për t'u bashkuar", deklaroi Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.

Madje sipas SHGM-së kjo dispozitë e ligjit mund të keqpërdoret për të favorizuar njërën prej shoqatave të gazetarëve. Nga organizata tjetër e gazetarëve, respektivisht Asociacioni maqedonas i gazetarëve kohë më parë njoftuan se kanë rreth 400 anëtarë. Në bazë të ligjit të ri për media, organizata më e madhe e gazetarëve do të përfaqësohet në Agjencinë për Media. Nga Ministria për Shoqëri Informatike thanë se po shqyrtojnë regjistrat e dy organizatave për të verifikuar numrin e vërtetë të anëtarëve. Megjithatë nga SHGM-ja thanë se do kërkojnë që ky proces të jetë transparent, listat të jenë publike, me qëllim që të shmangen manipulimet rreth numrit të gazetarëve anëtarë në dy shoqatat. Selmani tha se pikërisht kjo çështje ka qenë një ndër temat e diskutimit me përfaqësuesen e OSBE për mediat Dunja Mijatoviq, me të cilën gjithashtu kanë biseduar edhe për rastin e gazetarit Kezharovski. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form