Nëse nuk pranohet propozimi i BDI-së për kandidat konsensual për president, të pranueshëm edhe për shqiptarët e Maqedonisë, BDI-ja do të shqyrtojë bojkotimin e përhershëm të zgjedhjeve presidenciale. Siç thonë jo zyrtarisht funksionarët e BDI-së, partia e Ahmetit është në pritje të përgjigjes përfundimtare nga VMRO DPMNE-ja. Në rast të refuzimit të propozimit, BDI shqyrton mundësinë e mos pjesëmarrjes në zgjedhje presidenciale, jo vetëm në këtë cikël, por edhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale, deri sa të arrihet formë që presidenti të shpreh vullnetin edhe të shqiptarëve. Zërat e tilla nga BDI-ja pasojnë pas deklaratës së djeshme të Gruevskit, i cili tha se nuk beson që shqiptarët mund të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Edhe PDSH-ja disa herë ka përsëritur qëndrimin e saj se nuk janë të interesuar për zgjedhjet presidenciale dhe mund të mos marrin pjesë në këtë proces zgjedhor. Bojkotin e zgjedhjeve presidenciale, VMRO-ja e quan distancim nga të drejtat personale.
"Mos pjesëmarrja në proceset demokratike është distancim nga të drejtat e tua. Po analizojmë thellë të gjitha situatat, sidomos qëndrimet e BDI-së rreth situatës politike", tha Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.
Mos pjesëmarrja e partive shqiptare në zgjedhjet presidenciale rrezikon dështimin e tyre, pasi vështirë se do të arrihej pragu prej 40% dalje në zgjedhje, i parashikuar me Kushtetutë. Në zgjedhjet e fundit presidenciale të vitit 2009, dalja në zgjedhje ishte në kufi të daljes së nevojshme për zgjedhjen e presidentit, me 42,6% pjesëmarrje në zgjedhje. Organizatat joqeveritare dhe aktivistët shqiptarë në Maqedoni kanë paralajmëruar fillimin e fushatës për bojkotimin e zgjedhjeve presidenciale. Benjamin Arifi