Partitë vazhdojnë të taktizojnë rreth kandidatëve për zgjedhjet presidenciale. Ende nuk ka asnjë marrëveshje mes partive qeveritare VMRO DPMNE dhe BDI rreth kandidatit konsensual. Sipas BDI-së vazhdojnë bisedimet me VMRO-në, por deri tani nuk ka pasur përgjigje zyrtare. Nga partia e Gruevskit thonë se nuk ka filluar procedura e brendshme për caktimin e kandidatit presidencial.
"Zgjedhjet presidenciale ende nuk janë caktuar. VMRO DPMNE-ja do të respektojë të gjitha afatet ligjore, të gjitha rregullat ligjore, dhe procedurat e brendshme për selektimin dhe propozimin e kandidatit për president. VMRO-ja nuk i ka filluar procedurat e saja", tha Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.
Taktizojnë edhe partitë opozitare. PDSH-ja jo vetëm që nuk ka caktuar kandidatin, por ende nuk ka marrë vendim nëse do të kenë kandidat në zgjedhjet presidenciale. Opozita nuk dëshiron 3 procese zgjedhore rishtazi në 3 vite. Lideri i opozitës shqiptare Menduh Thaçi në një intervistë për televizionin Neës 24 në Tiranë tha qartë se PDSH-ja nuk do të merr pjesë në zgjedhjet presidenciale, nëse zgjedhjet parlamentare mbahen në afatin e rregullt, në vitin 2015.
"Sa i përket zgjedhjeve presidenciale nuk kemi interes si parti për shkak se është një betejë e kotë, nuk fiton kandidat shqiptar. Kështu që njëherë për njëherë nuk kemi interes të marrim pjesë në këto zgjedhje", ka deklaruar Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Në pyetjen direkte të moderatores nëse PDSH-ja nuk do të dalë me kandidat në zgjedhjet presidenciale, Thaçi u përgjigj:
"Nuk e besoj, nëse mbahen vetëm pa zgjedhjet parlamentare. Nëse bëhen bashkë atëherë situata mund të ndryshojë".
Edhe LSDM-ja opozitare nuk ka shpallur kandidatin e saj. Nga partia e Zaevit thonë se po rrjedh procedura e vlerësimit të kandidatit më adekuat.
"Procedura po vijon. Kur të përfundojë procedura brenda-partiake do të ju njoftojmë për kandidatin e zgjedhur", u shpreh Petre Shilegov, LSDM.
Kandidatura e vetme zyrtare deri më tani është ajo e kryetarit të partisë së branitellave "Dinjiteti", Stojançe Angellov. Benjamin Arifi