ELBASAN - Laurenti do të shkonte në Greqi për t'u takuar me të fejuarën por në Kakavijë ishte kthyer nga pala greke për shkak se i kishin nxjerrë probleme me dokumentet.
Mbrëmjen e së dielës 24 vjeçari i kishte hipur autobusit të linjës Athinë- Tiranë për t'u kthyer në Peqin, por ka mbetur i vdekur nga disa persona të cilët i zunë pritë autobusit në pranë Memaliajt.
"Ma vranë kriminelët," thotë i ati i Laurent Tabakut.
"Duam drejtësi dhe duam që të kapen autorët e vrasjes sa më parë", thonë familjarët e tij të cilët sot janë mbledhur në shtëpinë e familjes Tabaku në fshatin Shezë të Peqinit, për t'i dhënë lamtumirën Laurentit.
Familjarët kanë thënë se, "ngjarjen e kanë mësuar nga mediat". Ata nuk kanë kursyer akuzat edhe ndaj policisë, që sipas tyre, "ka qëndruar e vakët për zbardhjen e ngjarjes."
Të afërmit e Tabakut i kanë bërë thirrje kryeministrit Edi Rama për të marrë më shumë masa për sigurinë dhe rendin.
I riu Tabaku nuk mundi t'i mbijetonte plumbave të qëlluar nga 4 persona të cilët tentuan të ndalonin autobusin me qëllim për ta grabitur. Tabaku gjeti vdekjen pasditen e djeshme në spitalin e Fierit.
Autobusi u sulmua me armë zjarri në Memaliaj në orën 01:34 minuta të mëngjesit të djeshëm, ndërsa nga të shtënat mbeti e plagosur edhe një 19-vjeçare.