TIRANE- Komisioni i Ligjeve miraton raportin për shkarkimin e Zana Xhukës nga posti i kryeinspektores së ILDKP-së
Raporti u hartua nga grupi i kontrollit të ngritur nga Parlamenti në nëntorin e vitit të kaluar. Sipas këtij raporti emërimi i Zana Xhukes në këtë post është i pavlefshëm dhe propozonte shkarkimin e saj nga posti i kryeinspektores.
Raporti u miratua vetëm nga deputetët e mazhorancës ndërkohë që opozita braktisi mbledhjen.
Armando Subashi i cili ka drejtuar dhe grupin e kontrollit duke lexuar raportin para deputetëve u shpreh se Xhuka refuzoi dy herë t'i përgjigjet grupit të deputetëve për kontroll.
"Nga kontrolli në ILDK rezulton se puna e Xhukës lë për të dëshiruar. Deklaratat e pasurisë ishin të pa arkivuara. Në ILDKP të lindte dyshimi se deklaratat mund të ndryshoheshin. Nga 6 mijë subjekte, vetëm për 4700 ishte hedhur shorti", tha ai.
Në raport theksohet se emërimi është bërë në kundërshtim me ligjin pasi ajo nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 12 që sanksionon se kreu i ILDKP duhet të ketë arsimin e lartë si Ekonomist Financier ose Jurist si dhe eksperiencë në profesion jo më pak se 10 vjet, kërkesa këto që Xhuka nuk i përmbush.
Grupi i kontrollit i përbërë vetëm nga mazhoranca rendit edhe një sërë shkeljesh nga kryeinspektorja si dhe refuzimin e saj për të bashkëpunuar me Parlamentin gjë e cila u bë edhe shkaku i ngritjes së komisionit të posaçëm.
Kjo nismë e mazhoracës pritet që të thellojë edhe më shumë konfliktin me opozitën pasi heqja dorë nga ky raport u bë edhe një nga klauzolat e vendosura për miratimin e reformës administrative.