TIRANE- Agjencia për Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka marrë më shumë kohë për të përmbyllur procesin e kthimit të pronave. Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi shtyrjen me një vit e afatit të punës për Agjencinë. Gjatë diskutimeve, zv.ministri i Drejtësisë, Idlir Peçi, kërkoi shtyrjen e afatit të punës së AKKP-së, me pretendimin se duhen reforma, inventarizim dhe faturë e saktë kompensimi.
"Procesi i kthimit të pronave nuk mbyllet dot brenda këtij viti", tha Peçi.
Deputetët e maxhorancës Bashkim Fino dhe Spartak Braho, ishin të mendimit se kthimi dhe kompensimi i pronave nuk mund të bëhet në një vit, prandaj duhet t'i jepen të paktën dy vite.
"Deri në 30 prill 2015 nuk përfundon procesi. Ta shtyjmë edhe 2 vite të tjera që ta mbyllim njëherë e mirë", tha në komision deputeti socialist Fino. Ndërsa Spartak Braho u shpreh që "T'i japim agjencisë 2 vjet kohë, që ta përfundojë procesin".
Drejtoresha e AKKP-së, Sonila Qato, ka folur për vështirësitë që ka agjencia për të përmbyllur procesin, kun ë pritje janë 7400 dosje në shqyrtim. Komisioni i Ligjeve votoi në parim dhe tërësi edhe pr.ligjin "Për Legalizimet", ku i pranishëm ishte dhe kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.
"AKKP është në një situatë të vështirë për shkak të mungesës së inventarizimit. Na duhet 1 vit kohë për të bërë Inventarizimin", u shpreh Qato.