Ndryshimet e fundit rreth ligjeve të mediave ngritën në këmbë tërë opozitën parlamentare, deputetët e së cilës u shprehën se është më vështirë se lufta e Don Kishotit të luftoni kundër një qeverie e cila 8 vjet sundimin e saj e bazon në cenimin e shprehjes së lire. Sipas Jani Makraduli nga LSDM-ja është absurde të flasësh për ligj të mediave që vjen nga kjo qeveri e cila e degradoi, nënçmoi, përçau dhe korruptoi gazetarinë. Makraduli akuzoi qeverinë se përmes tenderave të ndryshme ka uzurpuar disa nga mediat e vendit.
"Qeveri e cila largoi gazetarët nga galeria në kuvend, qeveri e cila rrihte gazetarët, arrestonte dhe i dënonte. Qeveri e cila përmes ministrit të brendshëm shtroi kërkesë për tu shqyrtuar puna e Tv Alsat për informim të balancuar rreth disa ngjarjeve të caktuara që i prezanton në lajme. Dhe kjo ishte puna e vetme dhe rendi i vetëm i ditës që këshilli radifuzv e kishte në këtë periudhë, përveç mbylljes së mediave", tha Jani Makraduli, LSDM.
"Ju keni problem, paaftësinë e partisë suaj që të reformohet dhe riorganizohet dhe të sjell njerëz të ri, dëshironi ta arsyetoni me atë se të tjerët u kanë faj. Ju jeni më të mirët. Vazhdoni kështu dhe një ditë sigurisht se do të korrni sukses", u shpreh Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE
Ndërkohë deputeti i Partisë Socialiste Malisha Stankoviq derisa mbrojti ligjin akuzoi opozitën se gjithçka që nuk i konvenon e sulmon.
"Ndryshimet po bëhen me kërkesë të SHGM-së, për ju nuk është e rëndësishme. Ne këtë moment kjo nuk ju konvenon. Gjithçka që nuk ju konvenon ju dhe opozitës, pavarësisht se bëhet fjalë për SHGM-në, apo për procedura të Telmës, Alsatit, Alfës, Sitelit dhe gjitha mediave tjera, ju menjëherë i vendosni në tapet dhe murin e turpit", deklaroi Malishta Stankoviç, PS.
Ndryshimet e fundit të ligjeve për mediat vijnë pas marrëveshjes mes Qeverisë dhe SHGM-së. Marrëveshje kjo që nënkupton përjashtimin nga rregullimi me ligj të portaleve informative, përfaqësimi i gazetarëve në Këshillin e Agjencisë, e cila do të mbikëqyrë punën e mediave.
Qeveria dhe SHGM kanë rënë gjithashtu dakord edhe në pjesën e rregullimit ligjor të mediave të shtypura, të fushatave qeveritare, të përkufizimit të profesionit të gazetarit dhe për dispozitat ndëshkuese. Bedri Rexhallari