TIRANË - Për prishjen e pazareve të kromit është ekzekutuar me breshëri kallashnikovi një 42-vjeçar nga Bulqiza.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:50 të ditës së djeshme, në rrugën "Bajram Allaraj", afër rrugës "Mihal Grameno", pranë Qytetit Studenti, në Tiranë, ku 42-vjeçari Hasan Talja, nga Bulqiza, është qëlluar disa herë me armë zjarri përpara shtëpisë së tij.
Policia tha se 42-vjeçari u dërgua menjëherë në spital, por nuk mundi të mbijetonte për shkak se plumbat i kishin prekur organet jetësore.
Mbeten ende të panjohura shkaqet dhe autorët e ngjarjes, teksa paraprakisht mendohet se disa mosmarrëveshje për nxjerrjen e kromit janë pista kryesore e hetimeve, përveç verifikimit të një zënke që viktima ka pasur pak kohë më parë afër Tregut Elektrik.
Paraprakisht mësohet se viktima kishte në pronësi disa biznese në vendlindjen e tij, në Bulqizë, ndërsa vëllai i tij, Sabah Talja është arrestuar nga policia në qershor të vitit 2012, pasi iu gjetën në makinë rreth 300 kg tritol, që dyshohet se do të përdorej për shpërthimet në zonën D të minierës së Bulqizës.
Talja u arrestua kur po e transportonte dinamitin pa leje dhe pa fletë shoqërimi, me makinën tip Benz me targa të Tiranës 4304 S. Policia po kryen verifikimet dhe hetimet përkatëse për ngjarjen e rëndë.