A1 Report - "Albpetrol" prish marreveshjen me "Phoenix Petroleum", shkak borxhet

Report TV 2015-08-21

Views 1

Kompania "Albpetrol" prish marrëveshjen hidrokarbure me kompaninë "Phoenix Petroleum" për zhvillimin dhe prodhimin e hidorkarbureve në vendburimin e naftës Amonicë. Marëveshja mes dy kompanive ishte firmosur më 16 gusht 2013.

Sipas "Albpetrol" shkak për prishjen e marrëveshjes është fakti se kompania "Phoenix Petroleum" gjatë ushtrimit të aktivitetit ka akumuluar detyrime të shumta ndaj "Albpetrol". Në këto borxhe përfshihet edhe pagesa që duhet të bëhet për llogari të Fond Pagesës për Kompensim Mujor, në lidhje me 171 Punëtorë të Pushuar nga Puna.

Sipas njoftimit të "Albpetrol", nga verifikimi në terren ka rezultuar se: "'Phoenix Petroleum sh.a" kryen operacionet e shitjes së produkteve hidrokarbure ne kundërshtim me marrëveshjen dhe pa një Pikë të miratuar për matjen e sasive që shiten. "Phoenix Petroleum sh.a" ka shituar në mënyrë të jashtëligjshme një sasi nafte, e cila i ishte lënë në ruajtje nga "Albpetrol sh.a" në momentin e dorëzimit.

Phoenix Petroleum sh.a ka mbyllur selinë e kompanisë pa njoftuar paraprakisht "Albpetrol sh.a". Pas insistimit të "Albpetrol", "Phoenix Petroleum sh.a" ka deklaruar si seli të kompanisë zyrat e Konsullatës së Nderit të Republikës së Islandës në Tiranë".
"Për më tepër, operacionet në vendburimin e Amonicës drejtohen zoti Aleksandër Zenelaj, i cili ka qenë Drejtor i Marrëveshjeve Hidrokarbure në Albpetrol sh.a. në periudhën kur është negociuar marrëveshja me Phoenix Petroleum sh.a. Zenelaj është gjithashtu një ndër personat kryesorë në procedurën e dorëzimit të vendburimit. Ne te dyja këto procedura janë konstatuar shkelje të shumta duke lënë vend për dyshime të bazuara se "Phoenix Petroleum" ka ushtruar ndikim të jashtligjshëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes dhe me pas gjatë dorëzimit të vendburimeve.

Në bazë të marrëveshjes "Phoenix Petroleum sh.a." ka 120 ditë kohë për të përgatitur dorëzimin e vendburimit të Amonicës së bashku me gjithë asetet, puset, mjetet, pajisjet dhe infrastrukturën tjetër që ekzistojnë në Zonën e Kontratës ose të vendosura në rajon rreth ose pranë Zonës së Kontratës, dhe që i kanë kaluar "Phoenix Petroleum sh.a." nëpërmjet Instrumentit të Transferimit dhe Procedurës së Marrjes në Dorëzim sipas Anekseve E dhe F të Marrëveshjes", vijon njoftimi.

Pavarësisht prishjes së marrëveshjes hidrokarbure, sipas "Albpetrol" kompania "Phoenix Petroleum sh.a" nuk do të lehtësohet nga angazhimet e paplotësuara apo detyrimet e tjera "duke përfshirë pa kufizim pagesat e detyrimeve monetare për angazhimet e punës të paplotësuara, riparimet sipërfaqësore, përmirësimet e mjedisit dhe braktisjen".

Share This Video


Download

  
Report form