Shtohet frika në Gjermani se Michael Schumacher mund të qëndrojë në koma për pjesën e mbetur të jetës. Revista e përjavshme gjermane 'Focus' raporton për fatin tragjik të Schumit pasi ka pyetur ekspertë neurolog ndërsa 'Bild' thekson se gjendja e 7 herë kampionit të F1 është e rëndë dhe nuk është në planin e mjekëve që ta nxjerrin nga koma artificiale.
Neurologu Andreas Zieger sqaron se mund të ketë shumë komplikime. Sipas tij nuk duhet spekulluar pasi po flitet për jetën dhe vdekjen por në teori një gjendje kome mund të zgjasë edhe gjithë jetën.
Ish-ferraristi është në koma artificiale që prej 18 ditësh që pas aksidentit me ski dhe përvec ekspertëve ato që shtojnë dyshimet për më të keqen janë edhe heshtja prej ditësh e menaxheres së Schumacher dhe të mjekëve të spitalit të Grenoble në Francë.
Në një kohë kur nuk ka prej ditësh një buletin mjekësor me gjendjen e Schumit po spekullohet. Në të kundërt me atë që thonë ekspertët, mediat spanjolle dhe ato italiane raportojnë për një përmirësim të ndjeshëm të gjermanit dhe sipas tyre ai pas disa ditësh mund të dalë nga koma.
Gjithsesi gjëndja mbetet kritike por stabël. Një profesor i një klinike në Hamburg po ashtu sqaron se "sa më parë të dilet nga koma artificiale aq më shpejtë rekuperohen funksionet jetësore si edhe frymëmarrja".