Familjarët dhe avokatët: Monstra, proces i montuar

alsatmtv 2015-08-21

Views 4

Provat e pakta materiale të prokurorisë lidhur me rastin Monstra janë prezantuar sot edhe para të akuzuarit të fundit Sami Luta. Ekspertiza e dheut, e veturës, e plumbave dhe e ADN-së janë provat kryesore, por ato sipas avokatit Naser Raufi nuk dëshmojnë shumë lidhur me këtë proces.

" Jam i sigurt se nuk ka dëshmi, as dëshmi materiale as verbale. Akuza bazohet në dëshminë e dëshmitarit të koduar. Me atë kemi pas kontakte disa herë, në deklaratat e tij ka shumë dallime kruciale. Sipas meje ky person as nuk e di se ku gjendet vendi i Smillkovës", deklaroi Naser Raufi, avokat.

Ndërkohë, familjarët e të akuzuarve thonë se rifillimi i procesit gjyqësor dhe zvarritja e tij për 20 muaj është shndërruar në dënim për të akuzuarit dhe familjet e tyre. Ata edhe një herë kanë mohuar përgjegjësinë e bijve dhe të afërmve të tyre për vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë.

"Ne nuk jemi vrasës, as nuk i kemi vrarë. Por këto po e mashtrojnë, po e gënjejnë opinionin, nuk e di se çfarë bëjnë. Kur vinë këtu pala e dëmtuar i akuzojnë tonët në gjyq se jeni kështu apo ashtu, apo "ubijci", dhe nuk reagon askush", tha një familjar.

"Mbi 20 e më tepër seanca janë bërë, ende nuk kanë parashtruar ndonjë fakt që mund të kenë lidhje me rasti. Nuk jemi vrasës, as terroristë, populli shqiptar asnjëherë terror nuk ka bërë as nuk bën, sidomos në fëmijë, ajo që nuk ka shans ta bëjnë", u shpreh një familjar.

Familjarët e Haki Hazirit, arrestimin e të cilit policia e mbajti fshehtë për një javë nuk përjashtojnë mundësinë që pas deklaratës në gjykatë ai të jetë keqtrajtuar në burg.

"Edhe sikur të vuajë Hakiu apo tjetri, kushedi se çfarë ti ndodh, ne nuk dimë asgjë, sepse ne jemi në mbikëqyrje dhe ato nuk guxojnë të flasin. Në një torturë të tillë askush nuk kishte pas mundësi të fliste sepse ne jemi vetëm 30 minuta aty, pastaj ato janë 2 javë prapa grilave dhe nuk e di kush se çfarë ndodh", deklaroi një familjar.

Familjarët dëshmojnë se transportimi i të akuzuarve nga burgu në Gjykatë bëhet në kushte çnjerëzore, shpesh i shoqëruar edhe me keqtrajtime e ofendime nga policia. Procesi gjyqësor Monstra do të vazhdojë më 17 janar, kur do të dëshmojnë ekspertët mjeko-ligjor që kanë kryer ekspertizat në vendngjarje. Benjamin Arifi

Share This Video


Download

  
Report form