Të gjithë 850 banesat Maqedoni që u ndërtuan në vitin 2007 për familjet me të ardhura të vogla, do munden të blihen nga po ato familjet të cilave u janë dhënë në shërbim. Ministri i Transportit, Mile Janakievski tha se mjetet e grumbulluara do të përdoren për ndërtimin e objekteve të reja banesore për qytetarët me të ardhura të vogla. Të drejtë blerje do kenë qiraxhinjtë që në banesa jetojnë të paktën 5 vjet, ndërsa çmimet për një metër katror ndryshojnë varësisht vendit se ku gjendet banesa. Në Shkup këto banesa do shiten me çmim prej 690 euro për një metër katror, në Manastir për 620 euro, ndërsa në Prilep për 450 euro.
"Për interesuarit duhet t'i plotësojnë këto kushte: të jenë shtetas të Maqedonisë, të mos kenë borxh për blerje të banesës, personi apo partneri i tij bashkëshortor dhe anëtarët e familjes së përbashkët të mos kenë banesë, shtëpi apo vikend shtëpizë dhe hapësirë biznesi në pronësi të shtetit në territorin e Maqedonisë", deklaroi Mile janakievski, ministër i transportit.
Gjithashtu, të interesuarit për këto banesa nuk duhet të kenë të ardhura të përgjithshme më shumë se rroga mesatare në Maqedoni. Personat që nuk do i plotësojnë kushtet për blerje të këtyre banesave, do vazhdojnë t'i shfrytëzojnë të njëjtat duke paguar qira. Nëse kanë të ardhura më të vogla sesa parashikojnë kriteret, ata do paguajnë qira sociale në vlerë prej 15 deri 20 denarë për një metër katror, ose nëse kanë të ardhura më të mëdha sesa kriteret e parapara, do të paguajnë qira prej 60-85 denarë për një metër katror, varësisht se ku ndodhet banesa. Petar Bllazhevski