Të krishterët ortodoksë e festojnë Buzmin

alsatmtv 2015-08-21

Views 6

Besimtarët ortodoksë në Maqedoni festojnë sot Buzmin, ose ndryshe, Lindjen e Krishtit. Festa filloi me një tubim para Tempullit "Shën Klimenti i Ohrit" në Shkup, ku kumbarit të këtij viti, Metodija Stefanovski-Tode iu dorëzua qypi i Buzmit. Kumbari Stefanovski iu adresua më pas besimtarëve, me mesazhin për lumturi, dashuri dhe paqe gjatë gjithë këtij viti. Mesazh me rastin e festës së Krishtlindjes ka dërguar edhe Kryeministri Nikolla Gruevski, i cili uroi gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të diasporës, shëndet të mirë, sukses në punë dhe begati. Festa e Buzmit filloi një natë më parë, me ndezjen e zjarreve të Buzmit dhe në mëngjes, fëmijët kolendarë lajmëronin duke trokitur derë më derë për lindjen e Krishtit. Festa vazhdon me darkën e madhe që shtrohet në mbrëmje, dhe ku priten mysafirë të shumtë. Në këtë tryezë kreshmore, të zotët e shtëpisë përpiqen të ofrojnë pak nga të gjitha. Elementi i veçantë është gatimi i kulaçit, ndërsa në disa rajone gatuhen enkas lakrorë, në të cilat futet një monedhë. Besohet se personit që i bie monedha, pas ndarjes së kulaçit, do të përfaqësojë fatin dhe mbarësinë në atë familje. Pjesë në këtë kulaç, përveç familjarëve, i ndahet edhe Zotit, dhe një shtëpisë. Ndërkaq, simbol i festës është edhe vendosja e një dege buzmi në shtëpi, ose në derë, e cila gjykohet si pemë e shëndetshme dhe ogur për shëndet në gjithë familjen. Adrian Kerimi

Share This Video


Download

  
Report form