Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, përsëri kërcënoi kundërshtarët e tij dhe prokurorin e shtetit, që po zhvillon hetimet për skandalin e korrupsionit. Para mbështetësve të tij në krahinën Manisa, Erdogan, qartë porositi se dorëheqja e tij nuk diskutohet, duke theksuar se ata që bëjnë përpjekje për ta përmbysur, nuk iu intereson korrupsioni, por kanë për qëllim dobësimin e Turqisë. Skandali i korrupsionit rreth bankës shtetërore -- Halk Bank, tashmë dy javë po e trondit Turqinë. Ky rast u pasua edhe me atë të luftës për pushtet ndërmjet kryeministrit Erdogan dhe lëvizjes së Gjylenit, si dhe në mes kritikëve të Erdoganit dhe partisë së tij - AKP. Aktualisht, gjatë hetimit janë arrestuar gjithsej 24 persona të dyshuar, midis të cilëve shumica, djem të funksionarëve të qeverisë. Pas kësaj, shumë ministra dhanë dorëheqje, kurse kryeministri Erdogan ndërroi thuajse gjysmën e kabinetit. Sipas hetimit, të dyshuarit i përkisnin rrethit kriminal, që, gjoja i ka korruptuar politikanët për ta mbuluar biznesin e paligjshëm me ar të Halk Bankës me Iranin dhe të marrin leje për projektet e diskutueshme ndërtimore. Petar Bllazhevski