Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson në raportin për situatën e të Drejtave të Njeriut se gjatë vitit 2013 kriminaliteti në vend ka qenë në nivele të larta, sidomos për veprat penale që vënë në rrezik jetën, shëndetin dhe pasurinë.
Shkaqet sipas studimit të KSHH, mbeten kryesisht ato të natyrës social-ekonomike, konfliktet për shkak të pronës, varfëria, papunësia, xhelozia, konfliktet kriminale ndërsa për këtë vit raporti vëren edhe shtim të vrasjeve për motive politike.
Përsa i përket të drejtës së ushtrimit të votës, KSHH, përsërit raportet ndërkombëtare për sjelljet në përgjithësi korrekte, ndërsa problematike për të mbetet votimi familjar.
Komisioni ka sulmuar VKM e qeverisë Berisha për kthimin e pronave ish-pronarëve duke shtuar se respekton të drejtën e pronësisë së shtetasve, por rekomandon se ndërmarrje të tilla legjislative duhet të shoqërohen me masat e nevojshme për strehimin e personave që kanë banuar ligjërisht në këto banesa.
Raporti përmend dhe kërcënimin për shkak të detyrës të korespondentit të televizionit "A1 Report" dhe gazetës "Shqiptarja.com", Pirro Nase nga drejtori teknik i spitalit të Gjirokastrës dhe operatori i emisionit "Fiks Fare", E.Ç., nga Garda e Republikës, si raste të cënimit të lirisë së medias.
Për gjyqësori, problematike vlerësohet në raport tejzgjatja e proceseve dhe se luftimi i korrupsionit dhe rritja e besimit të shtetasve tek drejtësia lidhen dhe me ndëshkueshmërinë e rasteve të këtij fenomeni.