TIRANE- Vdekja e 28-vjeçarit italian Luca Olivotto gjatë kurimit në Tiranë për të hequr një tumor, për prokurorinë shqiptare nuk është vdekje natyrale, por një vdekje nga mjekimi i pakujdesshëm.
"A1 Report" sjell kërkesën për gjykim të dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, ku për organin e akuzës nga hetimet e kryera janë gjetur fajtorë dy mjekët italianë përkatësisht Tullio Simoncini dhe Roberto Gandini.
Kërkesa për gjykim ka kaluar shortin në Gjykatën Penale të Tiranës, ku është caktuar gjykatësi Albert Meçe për të nisur procesin gjyqësor ndaj dy të pandehurve.
Për organin e akuzës mjekët Tullio Simoncini, dhe Roberto Gandini kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale, vendosjen e pajisjes "port a catch" viktimës Luca Olivotto.
Ndërsa mjeku Tullio Simoncini ka trajtuar dhe ka drejtuar trajtimin e viktimës me terapinë me bikarbonat natriumi.
Gjykimi pritet të nisë në ditët e para të vitit të ardhshëm, ndërsa për të provuar akuzën prokurorët janë bazuar në akt ekspertizën mjeko-ligjore ku vdekja e shtetasit Luca Olivotto ka ardhur nga edema pulmonare akute në një subjekt me tumor malinj të trurit, i trajtuar me bikarbonat natriumi.