Në Samitin e Shefave të shteteve anëtare të BE-së, më 19 dhe 20 dhjetor, nuk do të shqyrtohet mundësia për dhënien e datës për fillimin e negociatave Maqedonisë. Ministrat e jashtëm të BE-së, pas mbledhjes maratonike të një dite më parë, njoftuan se çështjes së Maqedonisë do t'i rikthehen vitin e ardhshëm, por pa precizuar ndonjë datë konkrete.
"Nuk mund të fsheh shqetësimin rreth IRJM-së. Këshilli vendosi që t'i rikthehet kësaj çështjeje, në bazë të informatave të reja që do të ofrojë Komisionit për sa i përket progresit të mëtejshëm të vendit në kuadër të Dialogut në Nivel të Lartë (HLAD) përfshirë zbatimin e Marrëveshjes së 1 marsit dhe hapave konkrete për promovimin e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore. Shpresojmë se vendi do t'i shfrytëzojë muajt e ardhshëm, për të avancuar procesin e reformave dhe do të punojë me të gjithë partnerët për të dalë nga gjendja 'status quo', në mënyrë që sa më shpejtë të mund të bëjë hapin e ardhshëm në rrugën evropiane", tha Shtefan Fyle, komisioneri evropain për zgjerim i BE-së.
Fyle tha gjithashtu se Komisioni do të del sërish me një raport të jashtëzakonshëm në pranverë, sikurse vitin e kaluar rreth progresit të vendit, vetëm nëse do të ekzistonte bazë për një gjë të tillë. Ndërkaq shefi i diplomacisë lituaneze, Linas Linkeviçius, vendi i të cili kryesonte Unionin gjatë gjashtë muajve të fundit, theksoi se vendimi i Këshillit, nuk cenon kredibilitetin e procesit të zgjerimit, ndërkaq Maqedonia nuk guxon të dëshpërohet dhe të çalojë nga përcaktimi evropian.
"Kjo është diçka që duhet të pranohet si reale. Nuk është fshehtësi e madhe, ne kemi proces të brendshëm të marrjes së vendimeve, që kërkojnë konsensus. E shikojmë këtë atmosferë pozitive, nëse flasim në përgjithësi, por akoma nuk jemi në pozicion t'i fillojmë bisedimet. Por, kjo nuk do të thotë se me këtë është cenuar kredibiliteti i Unionit. Këtë e them edhe nga përvoja e shtetit tim. Edhe ne kaluam përmes procesit të integrimit dhe disa herë na u tha -- harroni, asnjëherë nuk do ta merrni. Por kjo asnjëherë nuk ndikoi në proceset në vendim tim dhe nuk e ndryshoi përcaktimin tonë. Prandaj, unë ju sugjeroj ju dhe kolegët e mi që të vazhdoni të lëvizni përpara, do të vijë momenti, nuk dyshoj", u shpreh Linas Linkeviçius, Ministri i jashtëm i Lituanisë.
Përveç nevojës së zgjidhjes së çështjes së emrit dhe problemeve të tjera të hapura me Bullgarinë, në konkluzionet e sivjetme të Këshillit theksohen të gjitha obligimet që vendi nuk arriti dot t'i përmbushte vitin që po lëmë pas. Sundimi i së drejtës, pavarësia e gjykatave, liria e mediave, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe nevoja për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit mbeten çështje kyçe të cilat vendi duhet t'i adresojë gjatë periudhës së ardhshme. Semra Jakupi