TIRANË - Abuzimet me faturat e energjisë elektrike, ka bërë që 8 punonjës të kompanisë CEZ Shpërndarje të vihen në pranga dhe të çohen në burg, ndërsa 6 të tjerë të jenë në "arrest shtepie".
Prokuroria e Tiranës ka bërë të ditur se, Gjykata e Tiranës ka lëshuar masën e sigurisë "arrest me burg" për 8 punonjës (faturues) të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike "CEZ Shpërndarje", dhe masën e sigurisë "arrest në shtëpi" për 6 punonjës (faturues).
Të gjithë këta persona, akuzohen për veprën penale "Falsifikimit të dokumentave nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumentin", në dëm të një numri të konsiderueshëm konsumatorësh të energjisë elektrike.
Masat e sigurisë të vendosura nga gjykata janë ekzekutuar gjatë ditës së sotme nga ana e efektivëve të Policisë së Shtetit.
Masat e sigurimit ndaj këtyre personave janë caktuar në bazë të provave, sipas të cilave rezulton se kanë fallsifikuar faturat e energjisë elektrike për një numër të konsiderueshëm konsumatorësh, duke bërë që këta të fundit të paguajnë shuma që variojnë nga 65.000-280.000 lekë të reja për shkelje të pretenduara nga faturistët, por që realisht konsumatorët nuk i kanë kryer këto shkelje.