'Car Dushani' nuk është barometër për marrëdhëniet ndëretnike

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Maqedonia dhe Shqipëria, përmes marrëdhënieve të tyre ndërfqinjësore paraqesin shembull të fqinjësisë së mirë në rajon. Ky ishte konstatimi i dalës nga takimi i përbashkët i kryetarëve të kuvendit të Shqipërisë dhe Maqedonisë Ilir Meta dhe Trajko Veljanoski. Megjithatë pas takimit, në deklaratat për shtyp nuk u anashkaluan raportet ndëretnike në Maqedoni të krijuara pas zhvillimeve të fundit me vendosjen e përmendores së Car Dushanit në qendër të Shkupit. Krerët kuvendorë Meta e Veljanoski thanë se vendosja e një përmendoreje nuk duhet të jetë barometër i matjes së marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, ndërkohë që implementimi i plotë dhe efektiv i Marrëveshjes së Ohrit është çelësi dhe rruga e vetme që ndihmon në tejkalimin e të gjitha situatave ndëretnike.

"Absolutisht, roli i faktorit shqiptar në Maqedoni ka qenë dhe mbetet kyç, tepër i rëndësishëm dhe tepër pozitiv për stabilitetin dhe integrimin e Maqedonisë dhe për të përforcuar bashkëjetesën dhe harmoninë. Dhe besoj se implementimi i plotë dhe efektiv i Marrëveshjes së Ohrit do të ndihmojë akoma më shumë në këtë drejtim", deklaroi Ilir Meta, kryetar I Kuvendit të Shqipërisë.

"Mendoj se përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare por edhe të bashkësive të tjera etnike në Maqedoni janë trajtuar në mënyrë përkatëse nga Republika e Maqedonisë. Kemi për detyrë që shteti maqedonas të japë kontribut sa më të madh për marrëdhëniet ndëretnike të cilat nuk duhet të vlerësohen nga një hap apo nga vendosja e një përmendoreje", tha Trajko Veljanoski, kryetar I Kuvendit të Maqedonisë.
Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë Veljanovski iu drejtua me një fjalim edhe deputetëve të Shqipërisë.

"Ekzistojnë sfida të cilat do t'i rëndojnë qoftë edhe pak, marrëdhëniet tona. Të japim fjalën se nuk do të lejojmë që të ekzistojnë sfida të cilat do t'i lëkundnin marrëdhëniet tona, as në masën më të vogël. Të respektojmë njëri-tjetrin ashtu siç kemi bërë edhe në të kaluarën, t'u shërbejmë si shembull qytetarëve evropian dhe jo vetëm ato, të na shërbejnë neve si shembull", u shpreh Trajko Veljanoski, kryetar i Kuvendit.

Ndërkohë, Veljanovski u prit gjatë pasdites edhe nga presidenti Bujar Nishani. Në mungesë të kryeministrit Edi Rama, për shkak të një udhëtimi zyrtar jashtë vendit, Veljanoski u prit nga zv/kryeministri Niko Peleshi.
Vizita e kreut të Kuvendit Trajko Veljanoski në Tiranë korrespondon me rastin e 20 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë.

Nga Tirana, për TV Alsat, Bedri Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form