Nga sot ka filluar verifikimi i vendosjes së përmendoreve në Urën e Civilizimeve, në mesin e të cilave bën pjesë edhe përmendorja e Car Dushanit. Komisioni i formuar nga kreu i komunës Qendër, do të shqyrtojë nëse gjatë vendosjes së përmendoreve është respektuar apo jo, ligji dhe procedura e nevojshme për vendosjen e përmendoreve në këtë urë. Për këtë qëllim, ata pritet të kontrollojnë dokumentacionin në tërësi duke filluar nga plani për furnizime publike, marrëveshjet, porositësit, financuesit e deri tek vendosësit e përmendoreve në urën "Syri". Ata pritet të shqyrtojnë se si nga 29 vepra të zgjedhura në konkurs në vitin 2010, nga ana e Komisionit të Komunës Qendër, sot mbi këtë urë qëndrojnë 38 përmendore. Komisioni pritet të verifikojë edhe faktin nëse nga ky konkurs janë vendosur të gjitha veprat e zgjedhura. Sipas njohurive paraprake, nga 29 përmendoret, 5 prej tyre akoma nuk janë vendosur, ndërsa në urë ka dhjetëra përmendore të tjera të cilat nuk figurojnë aspak në asnjë dokumentacion, përfshirë edhe përmendoren e Car Dushanit.
"Komisioni duhet të konstatojë nëse në tërësi është respektuar ligji për përmendoret. E dyta në bazë të dokumentacionit që ka komuna Qendër do të shqyrtohet se si pastaj është realizuar procedura. Nëse është respektuar ligji dhe nëse është respektuar procedura dhe cilat përmendore janë parashikuar të qëndrojnë në atë urë. Nëse janë të njëjtat me ato të parashikuarat në dokumente, si janë vendosur dhe si është realizuar konkursi e furnizimi publik për zgjedhjen e atyre përmendoreve. Qëllimi ynë është që sa më shpejt të përfundojmë punën në mënyrë që të qartësohen dilemat e caktuara, pasi pamë se vendosja e përmendores së fundit të Car Dushanit nxiti ngjarje të padëshirueshme të cilat kanë rëndësi më të gjerë për vendin gjegjësisht destabilizim të marrëdhënieve ndëretnike", tha Roza T. Karevska, anëtare e Komisionit verifikues .
Ditë më parë kreu i komunës Qendër Andrej Zhernovski paralajmëroi rrënimin e të gjitha përmendoreve të cilat janë vendosur në mënyrë të paligjshme. Ai po ashtu, iu përgjigj edhe interesit të komunitetit shqiptar, duke thënë se tre përmendoret shqiptare do të vendosen së shpejti. Përmendoret shqiptare të Nexhat Agollit, Josip Bagerit dhe Pjetër Bogdanit, edhe pse të trumbetuar me të madhe nga BDI-ja, deri më sot ende nuk dihet se ku kanë përfunduar. Gjyltene Rexhallari