Pas ndërprerjes së protestave, këshilltarët në Komunën Qendër gjatë tërë natës kanë mbajtur seancën e Këshillit Komunal e cila zgjati më tepër se 20 orë. Seanca u ndërpre sot në mëngjes për të vazhduar të enjten. Këshilltarët shqyrtuan mbrëmë 13 pika nga rendi i ditës, por nuk kanë arritur të shqyrtojnë pikën e 14-të e cila parasheh ndryshim të Planit Detal Urbanistik për vendin ku duhet të ndërtohet Kisha Shën Konstantini dhe Elena. Kjo pikë e rendit të ditës ishte shkak për protesta të dhunshme para Komunës Qendër gjatë ditës së djeshme dhe të premten e kaluar. Kryetari i Komunës Qendër sot edhe njëherë ka përsëritur se në rend dite nuk është rrënimi i Kishës në Qendër.
"Dua edhe një herë të them se në rend dite nuk është ndalimi i ndërtimit të Kishës Shën Konstatini dhe Elena. Për këtë shkak nuk e kuptoj pse protestojnë qytetarët", deklaroi Andrej Zhernovski, kryetar i Komunës Qendër.
Zhernovski për sot kishte planifikuar takim me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Maqedonase, por për shkak se njëra nga peshkopët kishte ndërruar jetë gjatë ditës, takimi është shtyrë për kohë të pacaktuar. Sipas kryetarit të Komunës Qendër, protestat e dhunshme kundër tij dhe këshilltarëve të Komunës janë të manipuluara nga VMRO DPMNE-ja. Por nga partia e kryeministrit Gruevski kërkojnë që kreu i Komunës Qendër Andrej Zhernovski të shpjegojë para qytetarëve se pse me këmbëngulje dëshiron të ndryshojë planin urbanistik për ndërtimin e kishës në qendër të Shkupit. Sipas VMRO DPMNE-së me ndryshimin e planit urbanistik Kisha do të bëhet ndërtim i egër dhe e njëjta pastaj duhet të rrënohet. Beniamin Arifi