TIRANË - Denoncimet për drejtuesit e INUK dhe Aluiznit në prokurori janë bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi gjatë kontrollit është gjetur se ata kanë shpërdoruar detyrë. Këtë ka deklaruar, kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, i cili ka folur për kallëzimin e fundit që ka bërë institucioni që ai drejton.
Mësohet se shkeljet për të cilat akuzohen dy ish-zyrtarët i përkasin viteve 2010-2012. Më konkretisht ata kanë penguar prishjen e ndërtimeve pa leje.
KLSH ka bërë kallëzim penal edhe për drejtorët e ALUIZNI-t në Vlorë dhe Lezhë, si dhe ka kërkuar nga Kryeinspektori i INUK, fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masave disiplinore me largim nga detyra për 7 punonjës të këtij institucioni.
"Gjatë kontrolleve është gjetur se drejtuesit kanë shpërdoruar detyrën dhe dosjet për këto raste janë dërguar në prokurori", ka deklaruar Leskaj gjatë konferencës vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Por Leskaj ka deklaruar se, janë në proces edhe disa kontrolle në institucione të ndryshme ku janë gjetur shkelje.