LSDM: Arrestimi i Shipoviqit pengon revizionin e projektit Shkupi 2014

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Mbajtja në paraburgim e kryesuesit të Këshillit të Komunës Qendër Mirosllav Shipoviq po thellon edhe më shumë krizën politike në vend. Prej sot grupi parlamentar i LSDM-së ka vendosur që të mos marrë pjesë në miratimin e ligjeve për të cilat nevojiten 2/3 e votave krahas bojkotimit të punës në Komisioni parlamentar për implementimin e konkluzioneve të komisionit hetimor për ngjarjet e dhjetorit të kaluar. LSDM-ja kërkon që Shipoviqit t'i mundësohet të mbrohet në liri. Situata e krijuar, sipas LSDM, bëhet me një qëllim të vetëm, që të ndalohet revizioni për projektin monstruoz " Shkupi 2014" .

"Ndërsa kryesuesit të këshillit komunal të komunës Qendër nuk i lejohet që të mbrohet në liri, LSDM-ja nuk do të marrë pjesë në punën e Komisionit për implementimin e konkluzioneve nga komisioni hetimor për ngjarjet e 24 dhjetorit. Pushteti nuk do e këtë mbështetjen e opozitës për asnjë ligj, për të cilin nevojiten 2/3 e votave në parlamentin e Maqedonisë. Rasti Shipoviq është vetëm një dëshmi se koalicioni qeverisës nuk është i interesuar për zbatim thelbësor të ligjeve të miratuara por vetëm për miratim formal", tha Oliver Spasov, LSDM.

Mirosllav Shipoviqi, prej gati 1 muaj është në paraburgim në burgun e Shutkës pas ekstradimit të tij nga Austria. Ai akuzohet për kriminalitet në aferën "Mashinopromet". MPB-ja për këtë rast ngriti kallëzim penale edhe kundër 10 anëtarëve të këshillit mbikëqyrës dhe drejtues, si dhe kundër disa të punësuarve në Drejtorinë e të Ardhurave Publike. Mirosllav Shipoviq u arrestua më 15 tetor në aeroportin e Vjenës. Gjyltene Rexhallari

Share This Video


Download

  
Report form