TIRANE- Familjarë të 21 gardianëve të burgut të sigurisë së lartë të Drenovës të cilët u arrestuan për akuzën e "Shpërdorimit të detyrës" pas arratisjes së 7 të dënuarve kanë protestuar sot në mëngjes para derës së burgut. Ata i kërkojnë shtetit të lirojnë të afërmit e tyre pasi janë të pafajshëm.
"Nuk është e drejtë që ata të arrestuan. Kanë qenë të kërcënuar me armë. Kriminelë nuk janë këta, por ata që u arratisën. Shteti të merret me të arratisurit, jo me këta.
Tua dinë për nder që nuk lejuan të kishte gjakderdhje në momentin e arratisjes "- thonë protestuesit. Sot në mëngjes gjykata e Korçës ka dhënë masën e arrestit burg për gardianet Spartak Marko dhe Arjan Nemollari, pjesë e 21 gardianëve të arrestuar si fajtorë për arratisjen e 23 nëntorit.