TIRANE- Në një intervistë për TV A1 Report ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj deklaron se javën e ardhshme, dikasteri që ai përfaqëson, do të dërgojë në prokurori dosjen me më shumë se 100 persona të cilët akuzohen për abuzimet e deritanshme me ndihmën ekonomike.
"Nga java tjetër do të çojmë në Prokurori disa abuzues. Janë një seri dosjesh. Do të bëjmë gjithë paketën e kallëzimeve në prokuroritë e rretheve. Bëhet fjalë për funksionarë dhe administrator vendorë"- thotë ministri Veliaj në një intervistë dhënë Kryeredaktores së A1 Report Sadiela Olloni.
Veliaj flet dhe për ndryshim të skemës së ndihmës ekonomike duke hequr kompetencat e pushtetit vendor.
Ai ka pohuar se në janar do të merren të gjitha detyrimet e prapamentura të ndihmes ekonomike ndërsa ka paralajmeruar një skemë të re për menyren sesi do të funksionojë me tej ndihma ekonomike
"Askush nuk do të marrë ndihmë ekonomike nëse nuk çon fëmijët në shkollë."
DUHEN 100 MILION DOLLARE PER PASTRIMIN E HOTSPOTEVE, S'I KEMI
Lidhur me pastrimin e 31 hotspoteve me lëndë kimike, Veliaj tha se ka kosto të madhe dhe qeveria nuk i disponon ato para.
"Duhen 100 milionë dollarë për pastrimin e 31 hotspoteve. Kostoja është e jashtëzakonshme dhe duhen donacione nga jashtë"- ka thënë ministri Veliaj.
"Çka do të thotë se qeveria shqiptare nuk i disponon për momentin këto para? Është pyetur sërish Veliaj dhe përgjigja ishte "Kostoja e pastrimit të hotspoteve kërkon absolutisht mbështetje financiare nga jashtë. Elbasani është më problematiku, dhe ka problem në shëndetin e njerëzve"