Operatori kabllor 'Telekabell' për tre ditë me radhë vazhdon të mos transmetojë sinjalin e ALSAT M. Drejtori teknik i 'Telekabell' në linjë telefonike për ALSAT M pranon se kanë ç'kyçur sinjalin tonë, me arsyetimin se shikuesit nuk janë të interesuar të shikojnë ALSAT M. Ky arsyetim është banal dhe i palogjikshëm, duke marrë parasysh të dhënat e anketës së Këshillit për Radiodifuzion të cilat televizionin ALSAT M në nivel kombëtar e rendisin në vendin e tretë për shikueshmëri dhe i dyti më i besuar ndër qytetarët e Maqedonisë. Kryetari i Këshillit për Radiodifuzion Zoran Trajçevski paralajmëroi se në seancën e radhës, do t'i rekomandojnë operatorit që të rikthejë sinjalit e televizionit Alsat në pakon e saj.
"Këshilli për Radiodifuzion, të vetmen që mund ta bëjë, edhe do ta bëjë, në njërën nga seancat e radhës, seancë kemi që të hënën, ti rekomandojmë operatorit "Telekabell" që në kuadër të politikës komerciale dhe në kuadër të mundësive teknike, edhe më tej të vazhdojë me riemitimin e sinjalit të televizionit kombëtar Alsat M", tha Zoran Trajçevski, kryetar i KRD-së.
Telekabell me shkyçjen e sinjalit të televizionit Alsat M ka shkelur edhe kontratat me qytetarët për pakot e shërbimeve. Në ofertat komerciale, Telekabell ka tërhequr konsumatorë duke përfshirë edhe televizionin Alsat M në listën e televizioneve. Duke u bazuar në këtë fakt, qytetarët mund të prishin kontratën me këtë operator para skadimit të afatit edhe atë pa paguar penale, për shkak se marrëveshja është shkelur nga vetë operatori. Ferikan Iljazi