Merkel dhe Nimic rreth emrit. Poposki: Pozicionet tona janë të qarta

alsatmtv 2015-08-21

Views 0

Kancelarja gjermane Angjela Merkel priti sot ndërmjetësin në çështjen e emrit Methju Nimic në një takim kokë më kokë në Berlin. Dy bashkëbiseduesit, siç njofton qeveria gjermane, kanë rënë dakord se pengesat mes dy vendeve mund të kapërcehen për aq kohë sa në Shkup dhe Athinë ekziston vullneti politik. Takimi Merkel-Nimic besohet të ketë qenë i planifikuar kohë më parë, pavarësisht apelit të liderit të BDI-së Ahmeti për intensifikim të llogaridhënës evropiane mbi këtë çështje. Autoritetet gjermane theksuan sot se ishin të interesuara të dëgjonin në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ndërmjetësi Nimic, zhvillimet aktuale rreth emrit.
Nga ana tjetër sot ministri i Jashtëm Nikolla Poposki nuk deshi të komentonte rreth propozimit të shumë përfolur në media ditëve të fundit për emrin 'Maqedonia sllavo-shqiptare'.

"Nuk mendoj se ai propozim meriton të komentohet", deklaroi Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm.

Popovski nga ana tjetër, e cilësoi ofensivën diplomatike të kreut të BDI-së, si aktivitet partiak dhe tha se Maqedonia vazhdon iniciativat zyrtare për marrjen e datës në Këshillin e dhjetorit të BE-së.

"Aktivitetet partiake të cilitdo aktor në Maqedoni paraqesin lëndë vlerësimi për partitë politike që veprojnë në Maqedoni. Për sa iu përket pozicioneve zyrtare të Maqedonisë ato janë shumë të njohura. Maqedonia ka një pengesë të madhe dhe ajo është kundërshtimi nga ana e Greqisë për të pestin vit me radhë të fillimit të bisedimeve aderuese. Në bazë të komunikimeve tona si me KE-në ashtu edhe me shtetet anëtare, është se procesi i bisedimeve me BE-në duhet të fillojë sa më shpejtë me qëllim që të ruhet kredibiliteti i procesit të zgjerimit me Maqedoninë, por gjithashtu, në këtë mënyrë do të siguroheshin parimet e zgjerimit, sikurse stabiliteti, prosperiteti dhe marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore në një kontekst më të gjerë të Ballkanit", tha Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm.

Ndërkaq ambasadori grek në Maqedoni Haris Lalakos sot shprehu optimizmin se çështje e emrit mund të mbyllet me angazhimin dhe përkushtimin e të dyja palëve. Për sa iu përket spekulimeve për mbështetjen nga presidenti Papuljas të propozimit të përfolur për "Maqedoni sllavo-shqiptare", Lalakos iu referuar përgënjeshtrimit të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, se bëhet fjalë për spekulime dhe informata të paargumentuara. Semra Jakupi

Share This Video


Download

  
Report form